Mes punëve të pakryera, përfaqësues të shoqërisë civile kanë përmendur disa premtime të dhëna nga LVV-ja katër vjet më parë për arsimin, reformën në drejtësi e për qeverisjen lokale. Listës i shtohen edhe premtimet e papërmbushura të Qeverisë për themelimin e Bankës Zhvillimore, për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, për rritjen e qendrave e shërbimeve të shëndetit mendor, si dhe për pensionimin e parakohshëm e sigurimin shëndetësor për policët
Shujtën e premtuar për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, Qeveria Kurti nuk e ofroi, ani se pati në dispozicion katër vjet. Sigurimi i kësaj shujte për filloristët, ishte një nga premtimet e papërmbushura të Vetëvendosjes, të bëra para e pas zgjedhjeve të shkurtit të 2021-tës. Të papërmbushura mbetën edhe premtimet për mësimdhënësit – biblioteka me literaturën relevante dhe banim me kosto të përballueshme.
Përveç në arsim, sipas njohësve të fushave përkatëse të qeverisjes, Kurti nuk ka realizuar edhe disa premtime të tjera.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në Lëvizjen FOL, veçon reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
“Me gjithë premtimin e bërë para katër vjetësh nga kjo Qeveri, ne kemi parë afera korruptive edhe gjatë këtij mandati e që fatkeqësisht nuk kemi parë distancim të kryeministrit apo ndonjë shkarkim të ndonjë ministri te dyshuar, madje u ka dalë në mbrojtje atyre. Me fjalë të tjera, korrupsioni mbetet një problem serioz në Kosovë”, thotë Demolli-Nimani.
Qeveria e drejtuar nga Kurti, ka dështuar të realizojë edhe premtime të bëra për qeverisjen lokale. Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP, thotë se me hartimin e katër ligjeve, njëri prej të cilëve sipas tij i bllokuar nga përfaqësuesit serbë në Kuvend, është synuar avancimi i politikave publike në fushën e qeverisjes lokale. Vetëm njëri nga ligjet, thotë ai, është finalizuar.
“Ta zëmë, Ligji për Vetëqeverisje Lokale nuk ka mundur të miratohet, për shkak të mungesës së votës nga ana e përfaqësuesve serbë në Kuvendin e Kosovës për shkak se ky ligj bën pjesë në të ashtuquajturin ligj me interes vital, ku kërkohet edhe vota e përfaqësuesve të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës. Ligji për Financat e Pushtetit Lokal ka pasur një grup punues, i cili grup e ka bërë një plotësim-ndryshim të ligjit, por i cili është hequr nga Qeveria dhe nuk është proceduar në Kuvend. Ligji, përkatësisht premtimi për hartimin e Ligjit për Grantin e Katërt as që ka nisur, pra nuk ka pasur nisma, nuk ka pasur grup punues e as procedurë tjetër”, ka thënë ai.
Qeveria, thotë Salihu, nuk ka ndihmuar komunat ashtu siç ka premtuar edhe në dy fusha të tjera: atë për ndërtimin e unazës jashtë Prishtinës, si dhe për të aplikuar për fondet e IPA-së.
Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL, thotë se mosrealizimi i premtimeve nga një qeveri ndikon në disa aspekte.
“Vlerësoj si të parën rënien e besimit të qytetarëve në institucione, sepse kur qeveria nuk i mban premtimet e saj, besimi i qytetarëve në institucionet demokratike dobësohet. Mosrealizimi i premtimeve pa dyshim se do të pengojë edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo qeveri ishte e para që kishte fuqi të mjaftueshme në Kuvend që të mos varej nga opozita dhe shumë premtime e kishte të lehtë t’i mbante, mirëpo treguan se nuk kishin vullnet politik për të bërë ndryshim, pavarësisht që qytetarët votuan për ndryshim, të cilin fatkeqësisht nuk e panë gjatë këtij mandati”, ka thënë ajo.
Hulumtuesi në Institutin GAP, Bekim Salihu thotë se arsyet për mosplotësimin e premtimeve, të fushës së qeverisjes lokale, mund të jenë të natyrës politike.
“Natyrisht që në parim këto planifikime që janë bërë nga kjo qeveri kanë qenë të duhura veçmas Granti i Katërt, i cili nuk është bërë edhe veçmas mosndryshimi ose plotësimi i Ligjit për financat e pushtetit lokal për shkak që të dy këto do të përmirësonin ose ndikonin direkt edhe në cilësinë e qeverisjes që e bëjnë komunat. Por arsyetimet nuk kanë mund të jenë as financiare e as operacionale, për shkak që Qeveria i ka pasur votat në Kuvend”, ka vlerësuar Salihu.
Mes premtimeve të parealizuara për katër vjet, janë edhe ato për: themelimin e Bankës Zhvillimore, për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, për rritjen e qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor, për pensionimin e parakohshëm e sigurimin shëndetësor për policët e të tjera.
Në lidhje me mosrealizimin e tyre, përgjigje nuk kanë kthyer nga Qeveria e Kosovës, e as nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. /Koha