Mediat turke raportojnë se dyshohet që Faruk Fatih Ozer, i cili po konsiderohet si mashtruesi më i madh i kohërave te fundit në Turqi, u arrestua mbrëmë në Kosovë.Autoritet turke publikuan një fotografi të Ozer duke kaluar kontrollin e pasaportave në aeroportin e Stambollit.
Burimet e sigurisë më vonë konfirmuan se Ozer ka qenë në Shqipëri dhe në bastisjet e bëra u pa që ishte arratisur për në Kosovë.Themeluesi i firmës Thedox, ishte arratisur për në Shqipëri duke marrë me vete një shumë prej dy miliardë dollarësh.
Ai e themeloi kompaninë në vitin 2017 dhe lejonte përdoruesit të blejnë dhe të shesin kriptovaluta të Bitcoin.
Pasi që kohët e fundit investitorët nuk kishin qasje në platformë, prokuroria ndërmori veprim dhe lëshoi një urdhër arresti për të.Faruk Fatih Ozer po kërkohej me akuzën e “mashtrimit duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet financiare dhe krijimin e një organizate kriminale”, pasi mashtroi rreth 400 mijë qytetarë turq, duke i bindur që të investonin të holla tek ai me pretendimin që do fitonin më shumë.