Drejtori i i kompanisë ‘Sirius Wine’, Arsim Rashiti, i shpallur në kërkim nga Policia kah fundi i muajit gusht për një rast të rrahjes tashmë ka përfunduar në mbajtje. 47-vjeçari po hetohet nën dyshimet për përfshirje në përleshjen fizike që ka ndodhur më 23 korrik në diskotekën ‘Sauvage’, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, Policia ka arritur të sigurojë prezencën e biznesmenit të dyshuar dhe ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për masën e ndalimit policor.
Arsim Rashiti, bashkë me të dyshuarit e tjerë Fatlum Verbovci dhe Daut Halili, dyshohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Ata po dyshohen se në diskotekën Sauvage, kanë sulmuar një 36-vjçar, i cili fillimisht nuk ishte lejuar të futet brenda nga punëtorët e sigurimit, gjoja se me urdhër të shefit të diskotekës.
Me këtë arsyetim, viktimës i dolën përpara tre të dyshuarit dhe e kanë sulmuar e më pas Rashiti dhe Verbovci janë arratisur, ndërsa i dyshuari tjetër është kapur po atë natë.