Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka zhvilluar sot një aksion, në koordinim me autoritetet gjermane – nën dyshimet për veprimtari të kundërligjshme që është ushtruar nga një grup i caktuar, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, aksioni është kryer në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, te bizneset që funksionojnë si ‘call center’.
Aksioni i zhvilluar gjatë ditës së sotme nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Gjermanisë ka rezultuar me arrestimin e disa personave.
Këta të fundit, siç merr vesh Gazeta Sinjali nga burimet janë shoqëruar në Polici për t’u intervistuar.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rasti lidhet me një hetim disa mujor që është kryer në bashkëpunim edhe me Policinë Gjermane.
Bazuar në informacionet e para, bizneset e regjistruara si qendra të thirrjeve është ushtruar veprimtari në kundërshtim me ligjin, me qëllim të përfitimit të jashtëligjshëm.