Ardit Gjebrea tregon çfarë i ka tërhequr vëmendjen dhe del me mesazhin e fortë

Ardit Gjebrea si rrallëherë ka reaguar për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se tani që është me pushime ka më shumë kohë të lexojë lajme e komente për gjithçka ndodh rreth nesh.

Mirëpo vëmendjen ia kanë tërhequr 2 lajme, “I pari bënte fjalë për një projektligj për lejimin e shamive për vajza dhe gra në shkolla dhe institucione, mesa kuptova në moshën mbi 16 vjeç, në Kosovë.

Lajmi i dytë bënte fjalë për një protestë në Himarë në lidhje me pronat dhe që fjalimet ishin mbajtur edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën greke”.

Gjebrea ngre pyetjen se nga çfarë kemi frikë që reagojmë kështu, kur në të dyja rastet mund të shihen si bashkëjetesë në harmoni.

Postimi i plotë:

Tani që është kohë pushimesh, kemi edhe kohë te lexojmë lajme e komente, reagime për gjithçka ndodh rreth nesh.

Sot më tërhoqën vëmendjen dy lajme me reagimet përkatëse: I pari bënte fjalë për një projektligj për lejimin e shamive për vajza dhe gra në shkolla dhe institucione, mesa kuptova në moshën mbi 16 vjeç, në Kosovë.

Lajmi i dytë bënte fjalë për një protestë në Himarë në lidhje me pronat dhe që fjalimet ishin mbajtur edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën greke.

Reagimet për lajmin e parë shiheshin si një ngadhënjim i islamizmit, ndërsa i dyti si një rikthim të protagonizmit grek në Himarë.

Nga se kemi frikë?! Përse të dyja rastet të mos shihen si bashkëjetesë në harmoni? Mendoj se mungesa e sigurisë së individit për çka përfaqëson sjell edhe këto reagime. Nëse një familje është e qartë në edukimin fetar të çdo anëtari dhe me bindje e pa imponim besimin e ushtron si një ushqim për shpirtin, nuk mendoj se ka rrezik.

Jemi në vitin 2022 dhe dinamika e jetës ndryshon prej evoluimit të ngjarjeve dhe sjelljeve ndaj fenomeneve që sjell koha. Thuhet që me kohën, gjithçka shkon në vendin e vet. E nëse shkon gabim? Jepi kohës kohë që të rikuperohet e të shkojë aty ku duhet. E nëse gabimi është fatal? Përsëri meqë jam vetë në besim, besoj se Zoti vendos gjithçka në vend në momentin që Ai e di!

Unë jam për respekt ndaj tjetrit, të besimit, etnisë… dhe dënoj shfrytëzimin e tyre për politikë apo përçarje, për urrejtje apo dhunë, për imponim apo përjashtim, mbi të gjitha dënoj sjelljet dhe veprimet ekstremiste të çfarëdolloj natyre.

Kush është i sigurtë në çka është, nuk ka frikë nga tjetri që është i ndryshëm. Është kaq bukur të bashkëjetosh, ta respektosh dhe ta bësh tjetrin të ndihet mirë. Më pas, secili në punë të vet, në familjen e vet!

A nuk është Zoti një?! Ç’rëndësi ka si e quajmë! A nuk është njeriu një? Ç’rëndësi ka ku jeton, i çfarë race është e çfarë gjuhe flet. Thjesht pranoje… nëse me dashuri, më mirë për të dy!

ngjashme