Po ua pezullojnë certifikatat bizneseve me arsyetimin se po e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë. E nisën me mediumin Klan Kosova për të vazhduar me një listë të gjatë të bizneseve.
Por vetë institucioni që po thirret në këto parime, në faqen e tyre zyrtare po e paraqesin Kosovën ende si pjesë të Serbisë.
Këta janë zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për keqpërdorim detyre
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në faqen e tyre zyrtare po përdorin ende prefiksin e Serbisë +381.
Kosova ka arritur në vitin 2016 marrëveshjen me Serbinë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e cila marrëveshje i ka siguruar Kosovës kodin telefonik 383. Me këtë marrëveshje u vendos që kodet 381, 377, 386 do të hiqen nga përdorimi.
Republika e Kosovës me këtë marrëveshje thuhet se krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet/identifikohet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror +383.
Në një ndër pikat e kësaj marrëveshje thuhet se “ Me implementimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës (si p.sh. Portabiliteti/bartshmëria i/e numrave në telefoninë mobile). Po ashtu do të eliminohen pengesat në orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike;
Nga Autoritet Rregullativ i komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) thonë se nga janari i vitit 2018 kodi funksional në Republikën e Kosovës është kodi telefonik +383.
“Ndërlidhur me pyetjen tuaj ne si Autoritet Rregullativ i komunikimeve Elektronike dhe Postare (shkurt ARKEP) ju njoftojmë se nga data 15 janar 2018 në Republikën e Kosovës është funksional dhe përdoret kodi telefonik +383”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it për Front Online.
Front Online për tri ditë radhazi ka pritur përgjigje nga ARBK-ja për t’a sqaruar këtë situatë.
Nga ky institucion nuk kanë kthyer e-mailet e dërguara në adresë të tyre.
Kodi +381 është përdorur nga Telekomi i Kosovës për telefoninë fikse që nga paslufta në mungesë të kodit shtetëror të Kosovës deri në 2018 kur u hoq ky kod, dhe nisi implementimi i kodit shtetëror të Kosovës +383.