[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Arben Llalla: Një Presidente që pret izëm nga Greqia  



Në prill pritet që Kuvendi i Shqipërisë para se të shpërndahet të zgjedhë kreun e ri të shtetit. Është ende shpejt për kandidatë, pavarësisht se do të synohet marrëveshje e gjerë politike. Ende është e vështirë të dallohen kandidatë, përveç Arta Dades, e cila është vetë afruar në një sërë intervistash. Ajo ka thënë që nëse e propozojnë nuk do të thotë jo. Natyrisht, me moshën që rëndohet më shumë në politikë sesa në jetën e zakonshme, dalja nga skena me çelësat e Presidencës në dorë është e admirueshme. Kreu i shtetit është garant i Kushtetutës së Shqipërisë, integritetit territorial dhe i sigurisë kombëtare.

A do të ishte një personazh politik si Arta Dade e përshtatshme për këtë detyrë? Ajo është pjesë e politikës qysh në vitet e para të pluralizmit si një nga politikanet e ekstremit të majtë. Për hir të traditës familjare dhe bindjeve staliniste, ajo ka përfaqësuar gjithmonë një neokomuniste të pareformuar, e cila pati vështirësi të mëdha të shndërrohej në socialiste.

Gjatë gjithë jetës së saj të gjatë politike dallohet për fjalorin patetik dhe sjelljet tekanjoze. Luftëtare e paepur për vogëlsira, gojëmbyllur për gjëra të rëndësisë së dorës së parë.

Arta Dade mund të përcaktohet vetëm kështu në politikë. Nuk njihet ndryshe, nuk ka kurrfarë veprimtarie në shërbim të kombit, paqtimit të gjakrave, tolerancës së debatit apo etikës në luftën ndaj kundërshtarit. Një politikane që mëton të bëhet President duhet të ketë padyshim këto lloj karakteristikash, të cilat për një arsye a një tjetër mungojnë në formimin dhe karakterin politik të zonjës, të cilës ia ka më shumë ënda t’i drejtohesh me “shoqe”.

Si ministre e jashtme nuk la asnjë gjurmë në Shqipëri, por la shumë shenjë në Greqi dhe vendet e tjera fqinje. Asnjëherë nuk pati në agjendën e saj të punës Çështjen Kombëtare. Nuk mbahet mend për asnjë deklaratë apo ndihmesë ndaj shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë apo diasporës. Përkundrazi, u soll si manare me Greqinë, të cilën asnjëherë nuk e vuri në hall për shqiptarët e atjeshëm. Ajo vuri në hall vetëm klasën politike shqiptare në Tiranë që mos t’i çelnin kurrë me Greqinë çështjet e pambyllura. Si një internacionaliste proletare ka patur ndershmërinë që mos të fshihet dhe të punojë hapur kundër Çështjes Çame. Kundër qysh në krye të herës, kundër dhe sot për ngritjen e Komisionit Hetimor. Kundër ndaj çdo force politike që frymon për Çështjen Kombëtare. Kundër me mish e me shpirt, madje familjarisht dhe me mediat që zotëron kulmi i saj i shtëpisë.

Ndaj, me siguri Arta Dade do të ishte një Presidente e shkëlqyer për Athinën. Padyshim në udhëtimet e saj të shpeshta në kryeqytetin e Greqisë ka gjetur pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e plotë politike, financiare, mediatike që të bëhet Presidente e Republikës. Ka një marrëveshje mes saj dhe Athinës, e cila përmban vetëm një pikë: zhdukjen e Çështjes së shqiptarëve të Çamërisë. Ajo këtë po e zbaton qysh tani me dëshirën më të madhe, e nesër mundësisht nga pozita e Presidentit.

Por, a merret kreu i shtetit vetëm me izmën e grekut të Athinës, grekofonëve dhe grekofilëve të Tiranës?