[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Apostollova e Bahtiri janë dakorduar që të gjitha problemet e Mitrovicës të zgjidhen me dialog  



Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, është pritur në Prishtinë nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorja Natalija Apostollova, me të cilën kanë biseduar për situatën e përgjithshme në Mitrovicë, me theks të posaçëm për projektin e BE-së për urën dhe për marrëveshjen e fundit mbi planet e rivitalizimit të mëtejshëm të  zonës përreth saj.

Ambasadorja Apostollova fillimisht e ka falënderuar kryetarin Bahtiri për angazhimin dhe përkushtimin e tij për shtensionimin e situatës dhe ruajtjen e paqes pas ndërtimit të murit në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, nga ana e autoriteteve të komunës së Mitrovicës së Veriut, si dhe për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm për të mirën e qytetit dhe qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, me kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Kryetari Bahtiri, pas takimit me ambasadoren Apostollova, tha se është njoftuar në detaje me projektin e BE-së për rivitalizimin e urës, i cili do të vazhdoj së realizuari në ditët në vijim pasi që koha po përmirësohet, paralelisht me projektin e shëtitores në pjesën veriore, pak metra më larg se ku ishte muri i ngritur në mënyrë joligjore.

Ai shtoi në vazhdim se realizimi i marrëveshjes  garantohet nga BE-ja dhe SHBA, ndërsa që punimet edhe në shëtitoren që do ta ndërtoj komuna në veri të Mitrovicës, do të mbikëqyren nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Duke bërë të ditur se me ambasadoren Apostollova janë dakorduar që të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet eventuale ët zgjidhen përmes dialogut, kryetari Bahtiri fton edhe me këtë rast qytetarët e komunës që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre, sikur edhe deri tash, për ruajtjen e paqes dhe relaksimin e mëtutjeshëm të situatës së përgjithshme.

“Tani kur situata pas tensionimit për shkak të ngritjes së murit në mënyrë joligjore nga autoritetet e komunës në veri të Mitrovicës, sërish ka filluar të shtensionohet, mesazhi im është që të vazhdohet maturia, pjekuria  dhe qetësia e treguar deri tash dhe  që të  mos lejohen forcat e errëta që të destabilizojnë situatën. Për përkushtimin tonë në këtë drejtim, kemi edhe garanci të forta nga Beja dhe SHBA-ja se projekti i rivitalizimit të urës do të realizohet patjetër ashtu sikur është paraparë dhe sa më shpejt”, tha kryetari Bahtiri.