Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësve të akuzuarve G.R., P.L. dhe I.I., me aprovimin e pjesshëm të ankesës së të akuzuarit V.H., dhe sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe çështja kthehet në rigjykim për tri pika.
I pandehuri G.R akuzohet për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, P.L. dhe I.I., akuzohen për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje dhe vazhdimësi keqpërdorim i pozitës apo autoritetit dhe V.H. akuzohet për shkak të veprave penale mashtrim lidhur me subvencione.
Komunikata e plotë:
GJYKATA E APELIT E KOSOVËS – DEPARTAMENTI SPECIAL, në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Bashkim Hyseni – kryetar, Kreshnik Radoniqi dhe Tomislav Petrovic – anëtarë, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtores profesionale Alba Makolli, në lëndën penale ndaj të akuzuarit G.R. për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 të KPRK-së, të akuzuarve P.L. dhe I.I., për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje dhe vazhdimësi keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 e lidhur me nenet 31 dhe 81 të KPRK-së, dhe të akuzuarit V.H. për shkak të veprave penale mashtrim lidhur me subvencione në vazhdimësi nga neni 262 të KPPK-së dhe veprës penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1 të KPPK-së, duke vendosur në lidhje me ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarit G.R. avokati Ndrecë Dodaj, të akuzuarit P.L. avokatit Arianit Koci, të akuzuarit I.I., avokatit Bajram Morina dhe të akuzuarit V.H., avokatit Agim Muhaxhiri, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë – departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në seancën e kolegjit të mbajtur me datë 08.07.2021, mori këtë:
A K T GJ Y K I M
- REFUZOHEN pjesërisht si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H., ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në pikën IV ndaj të akuzuarit V.H. për vepër penale shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1 të KPK-së, VËRTETOHET.
Për ketë vepër penale, Gjykata e Apelit të akuzuarit V.H. ti shqipton dënim me gjobë në shumë prej 3000 (tremijë) euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, ku dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër të re penale, ndërsa dënimin me gjobë i akuzuari obligohet ta paguaj në afat prej 3 (tre) muajve, nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi. Në rast se i akuzuari dështon të paguaj dënimin me gjobë të shqiptuar si me lartë, atëherë Gjykata e shkallës së parë do të zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burg në kohëzgjatje prej 150 (njëqindepesëdhjetë) ditësh, duke llogaritë 1 (një) ditë burgim me 20 (njëzetë) euro të gjobës.
I akuzuari V.H. obligohet që ATK-së, në emër të dëmit të shkaktuar t’i kompensojë shumën prej 13,907,04 euro për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), shumë prej 7,376.07 euro për Tatim në të Ardhura Personale, si dhe në emër të kontributeve pensionale shumën prej 3.435,48 euro, në shumë totale prej 24,718.59 euro, në afat prej 6 (gjashtë) muaj, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit.
I akuzuari V.H. obligohet që të paguaj shpenzimet e procedurës penale sa do të bëhen sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës, si dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 (pesëdhjetë) euro, dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit, shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.
- Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të akuzuarve G.R., P.L. dhe I.I., me aprovimin e pjesshëm të ankesës së të akuzuarit V.H., dhe sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në pikat I, II dhe III dhe çështja kthehet në rigjykim për këto tri pika.
- Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për pikët I, II dhe III të aktgjykimit të ankimuar, tani për tani është jo-lëndore.
A r s y e t i m
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda me aktgjykimin PKR.nr.64/18 të datës 02.04.2021, i ka shpallur fajtor të akuzuarin G.R., P.L., I.I. dhe V.H..
Të akuzuarin G.R. për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 të KPRK-së. Të akuzuarit P.L. dhe I.I. për shkak se në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 e lidhur me nenet 31 dhe 81 të KPRK-së. Të akuzuarin V.H. për shkak të veprave penale Mashtrim lidhur me subvencione në vazhdimësi nga neni 262 të KPRK-së dhe veprës penale Shmangie nga tatimi nga neni 249 par. 2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Gjykata e shkallës së parë të akuzuarit i ka gjykuar me dënime si në vijim:
– Të akuzuarit G.R., i ka shqiptuar dënim me kusht, duke ia përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nuk do të kryej vepër tjetër penale.
– Të akuzuarit P.L., i ka shqiptuar dënim me kusht, duke ia përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nuk do të kryej vepër tjetër penale.
– Të akuzuarit I.I., i ka shqiptuar dënim me kusht, duke ia përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nuk do të kryej vepër tjetër penale.
– Të akuzuarit V.H. për veprën penale si në dispozitivin III të aktgjykimit i ka përcaktuar dënim me gjobë në shumë prej 5000 (pesëmijë) euro, ndërsa për veprën penale si në dispozitivin IV të aktgjykimit i ka përcaktuar dënim me gjobë në shumë prej 3000 (tremijë) euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, ashtu që e ka gjykuar me dënim unik me gjobë në shumë prej 8000 (tetëmijë) euro, të cilin dënim duhet ta paguajë në afat prej 3 (tre) muajve, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe me dënim me kusht duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin e verifikimit prej 2 (dy) viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Nëse i akuzuari V.H. nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, atëherë gjykata të akuzuarit ia zëvendëson dënimin me gjobë me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 400 (katërqind) ditëve, duke ia llogaritur për çdo ditë të kaluar në burg nga 20 (njëzet) euro.
Ndaj të akuzuarve G.R., P.L. dhe I.I. iu shqiptohet dënim plotësues, ashtu që të njëjtëve iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Janë detyruar të akuzuarit G.R., P.L., I.I. dhe V.H. që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të dëmtuarës Komunës së Gjakovës të ia kompensojnë dëmin në vlerë prej 69.786.00 euro, në afat prej 1 (një) viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Është detyruar i akuzuari V.H. që ATK-së, t’i kompensojë shumën prej 21.283.00 euro në emër të tatimit të pa paguar si dhe në emër të kontributeve personale shumën prej 3.435,48 euro, në afat prej 1 (një) viti nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Janë detyruar të akuzuarit që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale sa do të jenë sipas llogarisë së gjykatës si dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor secili veç e veç në shumën nga 200 (dyqind) euro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit, secili veç e veç shumën nga 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi në afat ligjor ankesë kanë ushtruar:
– Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për shkak të vendimit mbi dënim, me propozim që të aprovohet në tërësi ankesa si e bazuar, ndërsa aktgjykimi të ndryshohet sa i përket vendimit mbi dënim, ashtu që ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i lartë me burgim efektiv dhe me gjobë.
– Mbrojtësi i të akuzuarit G.R., avokati Ndrecë Dodaj, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal, me propozim që të anulohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë për rigjykim e vendim, apo të ndryshohet aktgjykimi ashtu që i akuzuari të lirohet.
– Mbrojtësi i të akuzuarit P.L., avokati Arianit Koci, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave procedurale penale dhe vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi dhe të shpallet aktgjykim lirues, apo që të anulohet aktgjykimi dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe vendim.
– Mbrojtësi i të akuzuarit I.I., avokati Bajram Morina, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi shqiptimin e sanksioneve, shqiptimit të dënimit plotësues për mos ushtrim të funksioneve në administratën publike, ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, shqiptimit të sanksionit për kompensim të dëmit material në mënyrë solidare me të akuzuarit tjerë në shumë prej 69,786.00 euro dhe detyrimit për pagesën e shpenzimeve procedurale – paushallit gjyqësor në shumë prej 200 euro dhe kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 50 euro, me propozim që të merret aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit ose të refuzohet ankesa e Prokurorisë së Shtetit për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
– Mbrojtësi i të akuzuarit V.H., avokati Agim Muhaxhiri, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike
– Përgjigje në ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit I.I., avokati Bajram Morina, me propozim që të refuzohet ankesa, kurse të aprovohet ankesa e mbrojtjes, ndërsa aktgjykimi të ndryshohet në dobi të akuzuarit, ashtu që ndaj të akuzuarit të merret aktgjykim lirues, ose të refuzohet aktakuza për shkak të parashkrimit absolut ose lënda të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.
– Përgjigje në ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit V.H., avokati Agim Muhaxhiri, me propozim që ankesa të hudhet si jo lëndore, meqenëse është e paqartë.
Prokuroria e Apelit me parashtresën PPA/I.nr.206/21 të datës 26.05.2021, ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimi të ndryshohet sa i përket vendimit mbi dënim dhe të akuzuarve të iu shqiptohen dënime të larta me burg efektiv dhe dënim me gjobë, ndërsa të refuzohen ankesat e mbrojtësve të akuzuarve G.R. avokati Ndrecë Dodaj, P.L. avokati Arianit Koci, I.I. avokati Bajram Morina dhe V.H. avokati Agim Muhaxhiri, si të pabazuara.
Gjykata e Apelit mbajti seancën e kolegjit konform nenit 390 par. 1 të KPPRK-së, në të cilën ishin të pranishëm i akuzuari G.R. dhe mbrojtësi i tij avokati Ndrecë Dodaj, mbrojtësi i të akuzuarit P.L. avokati Arianit Koci, i akuzuari I.I. dhe mbrojtësi i tij avokati Bajram Morina, i akuzuari V.H. dhe mbrojtësi i tij avokati Agim Muhaxhiri. Në seancë nuk morën pjesë përfaqësuesi i palës së dëmtuar Komuna e Gjakovës Vjollca Shyti e cila përmes një parashtrese ka njoftuar Gjykatës se nuk do të mund të merr pjesë për shkak të angazhimeve tjera gjyqësore të caktuara më parë, në seancë po ashtu nuk prezantuar Prokurori i Apelit e as i akuzuari P.L., edhe pse të njoftuar në mënyrë të rregullt për datën dhe vendin e mbajtjes së seancës së kolegjit. Gjatë seancës palët prezent mbeten pran ankesave të parashtruara dhe propozimet e bëra në ankesa.
Gjykata e Apelit e shqyrtoi aktgjykimin e ankimuar, detyrimisht në kuptim të dispozitës së nenit 394 par. 1 të KPPRK-së, vlerësoi pretendimet ankimore së bashku me shkresat tjera të lëndës dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës, gjeti se:
– Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H. që kanë të bëjnë me pikën IV të aktgjykimit të ankimuar janë të pabazuara, ndërsa ankesat e mbrojtësve të akuzuarve G.R., P.L., I.I., dhe pjesërisht ankesa e mbrojtësit të akuzuarit V.H. janë të bazuara. Pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë tani për tani është jo-lëndore.
Pretendimet Ankimore
Ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës aktgjykimin e ka atakuar vetëm për shkak të vendimit mbi dënim, duke theksuar se bindja e gjykatës së shkallës së parë se me dënimin me kusht mund të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit një konstatim i cili sipas ankesës nuk qëndron. Kështu, pretendon se veprat penale të korrupsionit apo siç njihen në teorinë e kriminologjisë “veprat e jakës së bardhë”, nuk mund të kryhen nga çdo person, por vetëm nga persona të caktuar të cilët kanë autorizime që burojnë nga ligji, apo aktet nënligjore për t’i kryer detyrat e caktuara në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave të punës. Më tutje theksohet të akuzuarit dëmin të cilin ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit në vlerë të lartë, pra vetëm dënimi me efektiv mund të arrijë qëllimin e dënimit dhe peshën e veprës penale, ndërsa dënimet tjera alternative janë jo adekuate dhe jo në proporcion me veprat penale. Andaj, dënimi me kusht nuk qëndron sepse në rastin konkret veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së,
shmangie nga tatimi nga neni 313 par.3 të KPRK-së dhe mashtrim lidhur me subvencione nga neni 262 të KPRK-së, bien ndesh me nenin 50 të KPRK-së, pasi që dispozita zbatohet për vepra të lehta penale, e në rastin konkret veprat penale nuk konsiderohen vepra të lehta penale por vepra të veçanta penale dhe dënimi për këto vepra penale duhet të jetë efektiv dhe jo me kusht, siç ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë. Andaj, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nuk e ka arritur efektin dhe qëllimin e dënimit por tek shoqëria ka krijuar një precedent dhe mosbesim sa i përket shqiptimit të dënimeve, ndërsa tek të akuzuarit ka krijuar bindjen se në të ardhmen pavarësisht peshës së veprave penale gjykatës i mjafton të shqiptojë një dënim me kusht dhe me këtë të arrijë efektin dhe qëllimin e dënimit. Më tutje theksohet se janë mbivlerësuar rrethanat e lartcekura, sepse vendimi mbi sanksionin penal nuk është në proporcion me shkallën e përgjegjësisë penale dhe shkallën e rrezikshmërisë shoqërore. Në rastin konkret të akuzuarit kanë kryer veprat penale me dashje të drejtpërdrejt duke e ditur se ato shkaktojnë pasoja të ndaluara ligjore dhe të rrezikshme, duke tejkaluar kompetencat përtej autorizimeve që u garanton ligji, duke përvetësuar dobi pasurore për vete, apo për personat tjerë, të cilat paraqesin rrethana rënduese. Duke pasur parasysh këto pretendime prokuroria thekson se për prokurorinë çfarëdo dënimi përveç dënimit me burgim efektiv nuk do të arrijë efektin dhe qëllimin e dënimit.