Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Hashim Thaçit ka deklaruar se aktakuza përmban shumë redaktime çka edhe po i vështirëson mbrojtjes kryerjen e hetimeve.
Në seancën e sotme, ndër të tjera gjykatës i procedurës paraprake ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 22 tetor t’i ofrojë mbrojtjes listën paraprake me dëshmitarë dhe ka caktuar 29 tetorin datë për mbajtjen e konferencës së radhës.
Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar ZPS-në që deri më 22 tetor 2021 t’i ofrojë mbrojtjes listën paraprake të dëshmitarëve.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka thënë se deri në konferencën e ardhshme do të vendosë datën e dorëzimit të dosjes paraprake nga ZPS.
Ai ka shtuar se nuk mund të presin për dorëzimin e dosjes paraprake nga ZPS dhe se po bëhet një vit prej fillimit të kësaj procedure dhe sipas tij duhet ecur tutje.
Gjykatësi gjithashtu ka caktuar 29 tetorin datë për mbajtjen e konferencës së radhës dhe 15 dhjetorin për mbajtjen e një tjetër konference mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gregory W.Kehoe, avokati që mbron ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë që prokuroria duhet t’i dorëzojë mbrojtjes aktakuzën e paredaktuar, e cila do të fokusonte pastaj hetimet.
Sipas tij, informacionet që deri tani kanë marrë nga prokuroria nuk dinë nëse lidhen drejtpërdrejt me aktakuzën, meqë ka redaktime të shumta.
Kehoe: Redaktimet në aktakuzë na vështirësojnë punën e hetimeve
Edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se nuk janë të gatshëm të tregojnë shumë rreth hetimeve.
Emmereson: Kemi filluar në mënyrë të konsiderueshme hetimet
“Kemi filluar në mënyrë të konsiderueshme hetimet, për aq sa kemi pasur mundësi, kemi një ekip të ngritur në Kosovë, kemi bërë vizita për të filluar procesin e identifikimit të dëshmitarëve të mundshëm nga aq sa mund të kuptojmë ne nga çështja. Nëse i nderuari gjykatës mund t’i jap urdhër prokurorisë që të dorëzojë dosjen paraprake brenda datës 31 tetor, kjo do të na ndihmonte shumë me hetimet tona paraprake”, ka thënë Emmerson.
Young: S’mund të informojmë rreth hetimeve, të paqarta provat kundër Selimit
“Duke pasur parasysh që është e paqartë se cilat janë provat kundër zotit Rexhep Selimi unë mund t’ju informoj sot lidhur me këto gjëra”, ka thënë mbrojtja e Selimit.
Deklarimet e avokatëve i ka mbështetur edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020 pasi ndaj tyre u konfirmua aktakuza për krime të pretenduara të luftës.
Në paraqitjet e tyre të para në vjeshtë të vitit të kaluar, ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat ata ngarkohen./Botapress/