[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Anita pret lirimin e Ramushit, tregon se sa e ndjejnë ajo dhe fëmijët mungesën e tij



Të enjten e kësaj jave, lideri i  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pritet të dalë përsëri para trupit gjykues në Colmar të Francës, ku do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradim.

Bashkëshortja e tij, Anita Muçaj- Haradinaj, beson fuqishëm se ai do të lirohet duke shtuar se nuk ka rrugë tjetër përveç lirimit të tij.

Ajo në një prononcim për Indeksonline tregon për emocionet dhe pritjet e saj që do të ndodhin gjatë ditës së enjte.

“Të të them të drejtën nuk kam ndonjë emocion ndryshe, jo vetëm që jam optimiste por besoj që ai do të lirohet sepse kjo ka qenë një cirk ligjorë, siç e ka quajtur edhe  vet Ramushi. Ky ka qenë një absurditet i kohës. Ne dihet i kemi kaluar të gjitha pastrimet që kanë të bëjnë më drejtësinë dhe çdo dyshim që ka mundur të ekzistojë me Gjykatat Ndërkombëtare për luftën në Kosovë dhe prandaj besoj që do të dal mirë, sepse lufta jonë ka qenë e drejt, ka qenë për liri dhe pavarësi, ka qenë për të ardhmen dhe brezat e ardhshme të Kosovës dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Kështu, që nuk ka se si të jetë ndryshe. E drejta gjithmonë fiton dhe do të fitojë edhe kësaj radhe”, ka thënë Mucaj-Haradinaj.

Ajo gjithashtu rrëfen se sa i ka munguar Ramush Haradinaj shtëpisë dhe fëmijëve të tij, duke treguar se tashmë edhe fëmijët kanë filluar të rritën dhe të kuptojnë situatat nëpër të cilat po kalon babai i tyre dhe Kosova.

“Për të thënë se i ka munguar shtëpisë, ajo nuk diskutohet. Ramushi mbi të gjitha i ka munguar Kosovës, i mungon proceseve në Kosovë, sepse Ramushi e ka vendin e vet në Kosovë. Edhe fëmijët janë rritur duke u ballafaquar me procese gjyqësore. Gjini ka qenë 9 muajsh kur ka filluar gjithë kjo histori. Atëherë kemi pasur vetëm Gjinin, sot i kemi tre fëmijë dhe të gjithë janë të rritur, Gjini është 12 vjeç. Ne vazhdojmë të ballafaqohemi me të njëjtat absurditete, tallje dhe fyerje që i bëhen shtetit të Kosovës. Unë  dhe Ramushi i kemi rritur dhe i kemi edukuar fëmijët në frymën e atdhetarizmit dhe punës së mirë për shtetin tonë, sepse dikush duhet ta bëj këtë shtet. Kështu që besoj se edhe fëmijët janë adaptuar me këto situata. Edhe fëmijët besojnë se Ramushi është në të drejtën e tij dhe të popullit tonë, besoj edhe fëmijët e kanë kuptuar pasi këta tashmë vetëm janë rritur dhe me fjalë dhe shpjegime është dashur t’i tregojmë të vërtetën e asaj që ka ndodhur”, ka shtuar më tej ajo.

Gjithashtu, Muçaj-Haradinaj tregon se si kur fëmijët kanë qenë më të vegjël ajo është munduar t’i bind që të besojnë se shteti është mbi të gjitha.

“Unë jam munduar vazhdimisht të improvizojë situata kur këta kanë qenë të vegjël, jam munduar t’i bëjë që shteti është mbi të gjitha. Jam munduar t’i bëjë këta të besojnë që megjithatë policia e drejtësia janë të mirë, por më në fund më është dashur t’iu tregojë se përveç drejtësisë këtu edhe politika ka një rol të veçantë. Kështu që, këtë gjë, tashmë këta kanë filluar ta kuptojnë, pasi që kanë filluar të rritën dhe nuk është që kemi pasur ndonjë frikë nga gjithë kjo që ka ndodhur pasi ne besojmë në pafajësinë e luftës së popullit tonë. Nuk ka luftuar vetëm Ramushi por i gjithë populli dhe nëse duhet të burgosen për luftë, atëherë duhet të burgoset krejt Kosova. Kjo është absurde”, ka përfunduar Anita.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është arrestuar me 4 janar të këtij viti nga autoritet franceze me urdhërarrest të lëshuar nga Serbia. Një javë më vonë, në seancën e parë të tij në Gjykatën në Colmar të Francës, pas shqyrtimit të dokumentacionit për rreth një orë, është vendosur për lirimin e tij me kusht që të mos dalë nga Franca dhe të lajmërohet tek autoritetet dy herë në javë.