[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ambasadorja gjermane Viets: Kosova duhet t’i kontrollojë kufijtë e vet



Gjermania i ka dhënë mbështetje aksionit të organeve të rendit për të parandaluar hyrjen e trenit ilegal nga Serbia. Ambasadorja e këtij shteti në Prishtinë, Angelika Viets, ka thënë për “Kohën Ditore” se Kosova si shtet i pavarur ka të drejtë të vendosë se kush hyn në pikat kufitare.

“Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, kjo vlen për tërë Kosovën, përfshirë edhe veriun e vendit”, ka thënë Viets.
Teksa ka folur për të drejtën e Kosovës që të vendosë kontroll në kufi, Viets ka komentuar edhe murin ndarës, të vendosur nga autoritetet lokale të Mitrovicës Veriore, me mbështetje të Beogradit. Sipas Viets, Kosovës po i duhet të merret me probleme të cilat i imponohen.

“Si shtet i pavarur, Kosova ka të drejtë t‘i kontrollojë dhe t’i mbrojë kufijtë e vet. Sa i përket murit, më vjen keq që Qeveria e Kosovës duhet vazhdimisht të merret me probleme të cilat i imponohen”, ka theksuar ambasadorja gjermane. Megjithatë ajo ka theksuar se shpreson të gjendet një zgjidhje paqësore për murin.