[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ambasadorja gjermane Angelika Viets lavdon qeverisjen e Gjakovës!



Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila e ka pritur sot në takim ambasadoren gjermane në Kosovë, zonjën Angelika Viets, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e deritashme në komunën e Gjakovës dhe planet për të ardhmen.

Fillimisht kryetarja Kusari – Lila e ka falënderuar ambasadoren gjermane e përmes saj edhe shtetin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme që ky shtet po e jep për komunën e Gjakovës. Kryetarja Kusari – Lila ka rikujtuar se disa prej projekteve kapitale më të mëdha në komunën e Gjakovës, janë projekte të mbështetura nga qeveria gjermane, projekte këto që janë investimet më të mëdha në komunën e Gjakovës qysh prej fillimit të viteve të 80-ta.

Kryetarja Kusari – Lila ka përmendur projektin për impiantin e ujërave të zeza që po realizohet me bankën gjermane KFË, pastaj projektin me GIZ-in gjerman për promovimin e punësimit tek të rinjtë “Yepik”, projektin e Akademisë Evropiane të Muzikës “Esma”, i cili falë përkrahjes së Ambasadës Gjermane tashmë organizohet në Gjakovë e shumë projekte tjera.

Nga ana tjetër, ambasadorja Angelika Viets ka thënë se komuna e Gjakovës është një shembull i shkëlqyer i qeverisjes së mirë, prandaj edhe ndjehet e lumtur që qeveria gjermane përkrahë në vazhdimësi projektet për zhvillimin e kësaj komune.

Ajo ka rikonfirmuar se përkrahja gjermane për komunën e Gjakovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, qoftë me vazhdimin e projekteve ekzistuese, qoftë me inicimin e projekteve të reja, të bazuara në kërkesat dhe nevojat e komunës së Gjakovës. Në kuadër të kësaj, ambasadorja Viets ka bërë të ditur se ambasada gjermane do ta vazhdojë ta përkrahë Akademinë Evropiane të muzikës ESMA, e cila edhe sivjet është caktuar të mbahet në Gjakovë.

Ndryshe, ambasadorja Viets është interesuar edhe rreth angazhimeve për zhvillimin ekonomik lokal, konkretisht ngritjes së zonës industriale. Ajo është njoftuar për diskutimet pothuajse në përfundim në mes të komunës, Agjencinë Kosovar të Privatizimit dhe përfaqësuesve të Shoqërive Aksionare të Gjakovës për marrjen në shfrytëzim të pronës së këtyre shoqërive, me qëllim të ngritjes së Zonës Industriale. Lidhur me këtë, ambasadorja Viets është interesuar të dijë për planet e komunës në lidhje me këtë projekt, ndërsa që është ndarë e kënaqur me këto plane dhe ide të paraqitura gjatë këtij takimi.