[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ambasadori O’Connelli e ministri Hoti konfirmojnë: Gjithçka OK me zgjedhjen e drejtorit të Doganave



Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell kanë mbajtur sot Konferencë për Media ku kanë folur për procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se më datë 15 shtator 2016 në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës,  Ministria e Financave e ka shpallur Konkursin për emërimin e drejtorit te Doganës së Kosovës, i cili konkurs ka qenë i hapur deri më 29 nëntor 2016.

“Më 6 dhjetor gjithashtu në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës, unë kam themeluar Komisionin  për shqyrtimin e aplikacioneve dhe përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës” , shtoi ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se ky proces ka qenë  shumë transparent dhe ka tërheq shumë aplikime. Sipas tij kanë qenë 22 aplikantë që kanë shprehur interesim për tu zgjedhur si Drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës , prej të cilëve  12 janë ftuar në intervistë nga Komisioni .

“I gjithë procesi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë implementues dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Komisioni në dakordim me Partnerin impelmentues ka sjell tek unë listën e ngushtë ku ka prezantuar 3 emra të renditur sipas poenëve që kanë arritur në intervista  z. Bahri Berisha, z. Kujtim Qafleshi dhe znj. Valdete Krasniqi. Në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa sot ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Doganës të z. Bahri Berisha, pasi që ka dalur kandidati më i suksesshëm në procesin e konkurrimit.

Me këtë rast ministri Avdullah Hoti  gjithashtu falënderoj Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë Ruairi O’Connell për mbështetjen dhe kredibilitetin që i ka dhënë këtij procesi.

“Ky është emërimi i parë në pozita të larta në bazë të Memorandumit të  Mirëkuptimit që ka nënshkruar Ambasadori i Britanisë së Madhe me  Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.  Që është një sukses i plotë dhe që ka siguruar një transparencë maksimale gjatë gjithë këtij procesi, dhe unë besoj që do të jetë një shembull në emërime tjera të larta në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ministri Hoti.

Ndërsa, Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Connell duke përgëzuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, tha se procesi ka shkuar siç është dashur dhe më vjen shumë mirë që kemi këtë lajm kaq të mirë.

“Siç e dini ndonjëherë jam mjaft kritik ndaj Qeverisë kur ka gjëra për ta kritikuar. Por, që nga fillimi për këtë projekt kam thënë që suksesi varet vetëm nga vullneti politik i institucioneve të Kosovës. Ne mundemi ta mbajmë procesin teknik, por në fund të ditës duhet të ketë vullnet politik prej Kosovës për të treguar se Kosova është e gatshme për të emëruar kandidatët më të mirë. Me këtë vendim të Kryeministrit, me rekomandim të Ministrit të Financave është emëruar Kandidati i cili ka dalur i pari në një proces transparent dhe fer në përputhje me ligjin”, shtoi ambasadori  Ruairi O’Connell.

Ai theksoi se “ Kjo është diçka që duhet për tu uruar, për ta lavdëruar Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë vendim. Dhe më vjen shumë mirë që në procesin e parë të këtij projekti të përbashkët është treguar ky vullnet politik dhe që është tepër i nevojshëm.

“Gjithashtu dua të falënderoj kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen që ata i kanë dhënë projektit deri më tani. Pajtohem plotësisht me ju z. Ministër dhe shpresoj që ky proces i cili ka dalur me një rezultat kaq të mirë do të bëhet shembull për çdo proces të rekrutimit në Kosovë. Por jo vetëm, në kuadër të këtij projekti por në përgjithësi do të tregojë që tash rekrutimi në Kosovë do të bëhet dhe duhet të bëhet në bazë të meritës dhe në një proces të pavarur, duke lënë anash plotësisht kulturën që ka ekzistuar deri më tani, të nepotizmit, dhe për të krijuar një kulturë tjetër të shërbimit politik”, shtoi ambasadori Ruairi O’Connell.

Ai gjithashtu shtoi se “Më vjen shumë mirë që ka fituar një kandidat i cili i ka plotësuar kriteret, që tregon që profesionistët, edhe nëse nuk kanë lidhje partiake dhe nëse nuk janë emëruar për shkak të kërkesës politike, por për shkak të proceseve të pavarura, mund të japin edhe ata kontributin e tyre Kosovës”.

Në këtë konferencë për Media, Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se sot Qeveria Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka aprovuar 4 Marrëveshje prej të cilave 158 milionë euro janë marrëveshje financiare për financim të projekteve të ndryshme, njëra në vlerë 33 milionë euro me Qeverinë e Austrisë për financim të projekteve, në arsim, shëndetësi, në ujëra dhe në fusha të tjera, Marrëveshja tjetër me Qeverinë e  Francës në vlerë prej 66  milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtim të ujërave të zeza në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliqin, dhe Marrëveshja në vlerë 62 milionë eurove me Qeverinë e Hungarisë për trajtimin e ujërave të zeza në liqenin e Batllavës dhe disa projekte të tjera në fushën e ujërave. Dhe gjithashtu Marrëveshja për garancinë shtetërore  për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës në vlerë prej 24 milionë euro.