Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut ka përsëritur fjalimin e vitit të kaluar që e ka mbajtur në ceremoninë përkujtimore.
Ambasada amerikane ka shpërndarë një citat të tij në Facebook, ku ndër të tjerash thuhet se askush nuk duhet ta harrojë apo mohojë këtë masakër.
”Askush mos ta harrojë apo mohojë atë që ka ndodhur këtu. Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, SHBA bashkë me aleatët e NATO-s, vepruan për mbrojtjen e civilëve të pambrojtur, në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit.”
”Këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella të Amerikës dhe Perëndimit. Ne besojmë që të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo fesë, meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri,” ka thënë Hovenier.
Hovenier ka kujtuar edhe 15 janarin e vitit 1999 pasi atëkohë ishte zyrtar në misionin e SHBA’së në OSBE, përgjegjës për Kosovën.
”E mbaj mend atë ditë mirë. Si zyrtar në misionin e SHBA-së në OSBE, përgjegjës për Kosovën, mora një thirrje nga ambasadori Uilliam Uolker, shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Kosovës, i cili sapo ishte larguar nga skena e tmerrit, tashmë i përqendruar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur,” ka thënë ai.
Kujtojmë se 15 janari i vitit 1999’të shënon një nga ngjarjet më makabre të kryer nga regjimi i Slobodan Milosevic./Botapress.info/