Paritë opozitare e kanë dorëzuar kërkesën për hetim në Prokurorinë Speciale lidhur me menaxhimin e marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Këtë kërkesë e kanë dorëzuar sot, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ajo e LDK-së, Vlora Dumoshi dhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj.
Ariana Musliu-Shoshi nga PDK-ja shpreh shpresën se meritokracia do të kthehet në MPJD.
“Është shkel ligji për shërbimin e jashtëm, është shkel ligji për zyrtarët publikë, është shkelur rregullorja e brendshme, e cila është në kundërshtim me ligjin aktual për shërbim të jashtëm, një ligj më të përditësuar nuk e kemi pas në Komisionin për punë të jashtme”, deklaroi Musliu- Shoshi.
“Ambasadat e Kosovës, stafi diplomatik janë shëndrruar në shtabe zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Po ashtu vendimi që të shfrytëzohën hapësirat, të cilat janë të jashtëligjshme dhe antikushtetuese. Pra, në ditën e votimit janë kontraktuar salla të mëdha të cilat nuk janë aspak me ligjin dhe Kushtetutën, pra edhe këtu është duke u bërë një shkelje flagrante”, ka thënë Musliu- Shoshi, transmeton IndeksOnline.
Kurse, deputetja Time Kadrijaj tha se qëllimi është zbardhja e së vërtetës se çfarë ka ndodhur me këtë proces.
“Sic e dini në Kuvendin e Kosovës qe formuar Komisioni hetimor parlamentar për mënyrën e menaxhimit të punës në MPJD, degradimet emërimet e paligjshme, emërimet e paligjshme, rrotacionet, shkarkimet e ambasadorëve dhe ne me anë të këtij Komisioni hetimor kemi dëshiruar të zbardhnim të vërtetën se çfarë po ndodh. Ju e patë që ne i sollëm 3 follderë, me materiale që janë sjellë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe prej fillimit të këtij komisioni ne kemi pasur ngecje për shkak që është sabotuar nga mazhoranca. Fillimisht të gjitha ato materiale dhe dokumente që i kemi kërkuar janë vonuar për t’u sjellë në Komisionin hetimor ”, ka thënë Kadriaj.