Albert Krasniqi nga shoqëria civile ia ka parë për të madhe presidentes Vjosa Osmani e cila në fjalimin e saj njëherë tha se “Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane”, e më pas doli kundër marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë të cilën e cilësoi si marrëveshje që “ka cenuar rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtarë”, shkruan Botapress.
Për më shumë ja postimi në Facebook i Albert Krasniqit:
Është shumë kontradiktore që në njërën anë të thuash që “Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane”, e në anën tjetër të konstatosh që “moratoriumi i nënshkruar me ndërmjetësim të Presidentit të SHBA-së, ka cenuar rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidim të subjektivitetit ndërkombëtarë”. E përkrahje për këtë marrëveshje ka dhënë edhe administrata Biden.
Cilat drita të politikës së jashtme qenkan ndezur tash?
Këto të ministres së Presidentes që na bëri gaz i botës, e që nuk është në gjendje të përmend një shtet të vetëm – prej shumë të cilave pretendon se ka hapur marrëdhënie të reja?!
Në cilat organizata ndërkombëtare deri më sot qenka anëtarësuar Kosova pa ndihmën e SHBA-së, e në sa të tjera është anëtarësuar Kosova pas përfundimit të moratoriumit?!
Para se të flas si të ishte përfaqësuese e Departamentit të Shtetit, apo si opozitare e qeverisë së kaluar, Presidentja duhet t’i kthehet rolit të saj Kushtetues si përfaqësuese e unitetit të popullit.