[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Albert Habazaj – Vlorë: Cikël poetik për Kosovën



 

 

Nga Albert HABAZAJ, Vlorë

 

  1. KЁNGЁ PЁR FLAMUR

 

Përshëndetje Pavarësisë së Kosovës

 

 

Oj, Kosovë, o krah’Shqiponje

Krah’ rrebeshesh i plagosur,

Siç je ti në  këto troje

Kam Çamërinë sakatosur.

 

Vjen me frymë Perëndie

Përreth Sheshit të Flamurit

Yjësia e Lavdive,

Ku zihet Besa e Burrit!

 

Tok me Ismail Qemalin

Qëndron baca Boletin –

Emblema jonë krenare

Dhe kur ndrin a bubullin.

 

 

Prishtina ime është Vlorë

Edhe Vlora ësht’ Prishtinë.

Për FLAMUR po thur kurorë,

Këngë yjesh për SHQIPTARINË.

 

 

Sheshi i Flamurit, Vlorë, 17 Shkurt 2008

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  1. MIRËMËNGJESI, KOSOVË!

 

Mirëmëngjesi, Kosovë, moj e bukura ime,

Si dritë e bukurive më je veshur fisnikërisht,

Si shqiponjë dardane merr fluturime,

Me dritë të do Labëria, me spektër, sinqerisht!

 

Me dritë të do Vlora e Shqipëria,

Me dritë dhe Çamëria, krahu i plagosur.

Feniksi Dardan merr frymë nga Iliria,

Me klithmat e diellit ende brengosur.

 

O dhembje krenare, E Bukura e Dheut,

17 Shkurti yt është edhe imi,

Herë si zanë mitologjike, herë si Prometeu,

Ma shkëlqen emrin me rreze besimi.

 

Dhe kur vdekja këndon shqip në këto vise,

Dhe kur, vetvetiu, dasma qan shqip me lot lavdie,

Kur globi, me njerëz  i populluar,  merr ndonjë krisje

Çuditërisht, Kosova i fal mimoza mirësie…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  1. GËZUAR, KOSOVË E PAVARUR!

                           

Kosovë e dashur mijëravjeçare

Nëntë vjetorin e Pavarësisë tënde

Ta gëzojmë, moj shqiponjë krenare!

Kuçedra serbe në tërbim të çmendet.

 

Moj fisnikja ime e bukur dardane,

Mallëngjimi i festës me lot diellor

Plot ma mbush zemrën, moj kapedane.

Sot unë kam zënë qiellin me dorë!

 

Motër martire e lirisë, e nderit,

Jam kryelartë me ty e këndoj me gaz.

Shpirti im me shtatë ngjyrat e ylberit

Zbukururohet sa lugati serb të pëlcasë!

 

Plastë nga ligësia, derri i derrit,

O moj luanesha ime e fortë!

Shkjau – në fund të rrathëve të ferrit,

Ne – Flamurin Kombëtar kemi kryezot.

 

Ty, Kosovë e pavarur në ballë

Të vargut, të këngës, të lavdisë të kam.

Is’ Boletinët, Adem Jasharët gjallë

I mbaj në gjakun tim, se gjak i tyre jam!

 

 

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, e premte, 17. 02. 2017

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  1. BALADË E RE PËR NJË LEGJENDË TË RE

 

 

nderim heroit kosovar Adem Jashari

 
Kjo tokë filloi të mësohet me dhembjen,
Me ëndrrat mbështetur në murin e pushkatimit:
Hiena zgërdhihet kur shuan një familje,
Zogjtë e bjeshkëve e ndalën fluturimin.

Ende plagët e lirisë kullojnë gjak,
Dhembjen nuk e nxen dot pentagrami epik,
Një det me lot rreh të thinjurat dallgë
Për Adem Jasharin si Muji kreshnik.

Për Adem Jasharin, që si Mic Sokoli
U ngrit për Drenicën sipër, mbi legjendë,
Për atë që fjalën dardane e foli
Si bajraktar mbi hark dielli të prerë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  1. RRËNJËN E KËRKON DHEU

 

– Yllit të madh dardan të kinematografisë botërore, Bekim Ibrahim Fehmiu

(1. 06. 1936 – 15. 06. 2010)

 

Pa e takuar as dhe një herë titanin,

Pa hapur as dhe të filmave manuale,

I kam pirë dollinë me adhurim pagani,

As ngaqë u shfaq me Claudia Cardinale.

 

As yjet botërorë, me të cilët lozi

S’patën autoritet tek unë, sinqerisht jo.

Arti i Tij drithërues keq më marrosi,

Ai detin e Kulturës e çau si Hero!

 

As dhe seriali “Përgjithmonë Xhulia”,

As “Odiseja”, ku Ai qe vetë Ulisi,

Nuk më tunduan dot për të më prishur mendjen

Sa dinjiteti i pashkulur i Atij lisi.

 

Dhe kur e ngjeshi nën këmbë sojin sharlatan

U bë rrënjë e zgjimit në zemër të dheut.

Dhe nga Lumbardha Prizreni hirin i shpërndan

Të sjellë bekim për ujërat e Mesdheut.

 

Fregata kosovare në dallg’, tym e stuhi,

Bëhet shqiponjë  mali e shqiponjë deti

Dhe fluturon qiejve të botës si verì

T’i përmbushet Bekim Fehmiut amaneti.

 

Iku një njeri i bukur e burrë i bukur,

Iku një artist i bukur globit fluturim,

Eshtrën e Kombit me palcë për të mbushur

E vetë për t’u mbushur me shkëlqim e trishtim…

 

 

Vlorë, e hënë, 23. 08. 2010 – e enjte, 02. 06. 2016

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  1. RAPSODI TRIMËRORE PËR HERONJTË E KAÇANIKUT

 

Dëshmorëve të Lirisë së Kosovës: Agim Bajrami, Besnik Begunca, Xheladin Kurtaj me trima

 

Çdo ditë jave, muaj’, viti,

Çdo dit’ të jetës që kemi,

Me dhembje e plagë shpirti

Tek dëshmorët tanë vemi.

 

Dhe jo vetëm çdo dhjetë gusht,

Jo vetëm për t’i kujtuar,

Shkojmë e mblidhemi një grusht,

Na vjen turp për t’i takuar…

 

Kemi gabuar me ta,

Me ata që u bënë fli,

Ëndrrabukurit sa s’ka,

Sakrificat për liri.

 

Apo jo, komandant Zefi,

Agim Bajrami i qeshur,

Ti s’e dhe jetën nga qejfi,

Re dëshmor për të mos vdekur.

 

Se të deshi Nënë Kosova

Ty, Besnikun, Xheladinin,

Po kaq shpejt nuk e mendova

Gjethet e lavdisë të binin…

 

S’ bien gjethet e lavdisë,

Le të zvarriten zuzarët,

Si bishtok’ të neverisë,

Ju për ne jeni krenarët.

 

O Agim Bajram me trimat

E Ushtrisë Çlirimtare,

Me kërrab’ zut’ vetëtimat

Për Kosovën legjendare.

 

Rroba ngrin e shkrin në trup,

Ju – përleshje me rrufetë,

Një cifël u zë në sup,

Klithma qielli derdhën retë.

 

Dimër të mos kish’ Kosova

U bëtë legjendë lirie,

Fluturim për shqipet tona

Përmbi kreshta shqiptarie.

 

Ngrohtësi qe ideali

Historia përsëritet,

Kur lindin shqiponja mali

Perandoria tronditet:

 

Legjenda Idriz Seferi

Mbi osmanë bëri kërdi,

Ti, Agim Bajram si dreri –

Mbi barbarin serb të zi.

 

Fryma jote në tri jetë,

O yll i bukur i botës!

Njërën e gëzove vetë

Dhe dy ja fale Kosovës!…

 

Vetëm 36 vite

Bëre komandant Agimi,

Sot ndriçon me rreze drite

Në monument përjetësimi.

 

Komandant Zefi, lavdia

Të ka marr’ në krah’ të saj,

Përcjell trimin pavdekësia

Stafetë nderi skaj më skaj.

Eshtër e Adem Jasharit,

Ti i mposhte mbret e krajle,

Dhe për fisin e shqiptarit

Mbete spaletë morale.

 

Nga Kosova, Çamëria,

Shfaqesh ëndërr e lirisë,

Nga Dibra, Plava, Gucia –

Majave të historisë,

 

Nga Kaçaniku në Vlorë

Nderi yt i larë me diell,

O trim i zgjedhur me dorë,

Emri yt flamur në qiell.

 

Faleminderit profesoreshë Migena Arllatit për kujtesën historike që më zgjoi për të thurur dy vargje shpirti Dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës më 10 gusht 1998.

Nderim për Ju, Heronj të Shqiptarisë, me përulje të thellë dhe vëllazëri kombëtare!

Nga Vlora, Albert Rexhep Habazaj, 03. 08. 2016, ora 10: 10’

  1. TUNGJATJETA, ILIR SHQIPTARI!

 

(Kur isha mërgimtar në Itali, duke dëgjuar kasetën “Shkëlqimi i plisit”)

 

Në malësitë xheloze akuilane,

Mes një gjelbërimi të ftohtë e të errët,

Dëgjoj këngën shqipe të Ilir Shaqirit;

Kraharori më hapet si qiell i çelur.

 

Dhe mendoj, në vend të huaj, se Shqipëria

Lindi pishtarët që u tretën si qiriri,

Sot, kur në hall ësht’ e ka nevojë NËNA,

Një rilindas i ri bëhet Ilir Shaqiri.

 

Kosovë e Çamëri, Ulqin e Dibër ngrysur,

Jemi tanët që këndojmë e qajmë shqip;

Gjurma e pëllumbit në paqe të hidhur,

Këngën dhe ëndrrës në grykë ia lidh…

 

Të faleminderit, Ilir Shaqiri!

Tungjatjeta, o i miri Ilir Shqiptari,

Plis i vure si kup’ shpirtit të qiellit,

Të bardhë si bora, të shtrenjtë si ari.

 

Të faleminderit, që më mbushe me besim,

Ma freskove krenarinë, s’ma le të thahej.

Shtatë kontinente larg mendimin loti ma lag:

Shqipëria të bëhet, në këmbë të mbahet!

 

 

L’Aquila, 08. 10. 1998; Copitto, 16. 12. 1998; Vlorë, 08. 06. 2016