Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor – të pandehurit R.SH., për shkak të veprës penale ‘’Sulmi seksual’’.
Sipas aktakuzës, i pandehuri R.SH., që nga muaji nëntor 2020, deri më 20 Prill 2021, në Kamenicë, në intervale të ndryshme kohore, ka ushtruar sulm seksual ndaj viktimës së mitur, nën moshën 16 vjeç, me aftësi të kufizuara mendore.
I njëjti, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 21 Prill 2021.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të njëjtit ti vazhdohet masa e paraburgimit dhe krahas dëmit kryesor ti shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë, zyrtari policor ka puthur të dëmtuarën në fytyrë, në buzë dhe në pjesën e gjoksit.
“…dhe atë përqafimet me të si dhe prekjet në zonat intime dhe këto veprimet i ka përsëritur në intervale të ndryshme kohore”.
Në dosjen e prokurorisë që e kishte siguruar Gazeta Express, thuhej se i pandehuri ka pasur njohuri për moshën dhe gjendjen shëndetësore të të dëmtuarës, por megjithatë ndaj të njëjtës shpesh herë ka kryer sulmin seksual.