Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se këto konstatime të Prokurorisë Speciale i hapin rrugë prokurorit të shtetit për të hetuar edhe tenderët publikë të fituar prej kompanive që pretendohet se janë të Radoiçiqit. Po ashtu, sipas tij, për këtë rast mund të gjykohen vetëm 3 nga 45 të akuzuarit, aq sa po mbahen në paraburgim
Nga aktakuza për sulmin në Banjskë mund të dalin edhe hetime të reja për tenderë në Kosovë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Çdo përkrahje institucionale e ofruar nga buxheti i Kosovës për qytetarët e pjesës së veriut ka përfunduar në duart e të pandehurit Milan Radoiçiq”, thuhet në aktakuzën për rastin e Banjskës, e ngritur të mërkurën.
E drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se këto konstatime të Prokurorisë Speciale i hapin rrugë prokurorit të shtetit për të hetuar edhe tenderët publikë të fituar prej kompanive që pretendohet se janë të Radoiçiqit.
“Jashtë kësaj aktakuze besoj që Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, por edhe Prokuroria Speciale mund të fillojnë hetimet për të parë këta tenderë se si janë zbatuar dhe nëse personat përgjegjës që kanë qenë për të mbikëqyrur zbatimin e projektit i kanë kryer obligimet, përgjegjësitë e tyre në bazë të ligjit”, ka thënë Miftaraj të enjten.
Sipas aktakuzës, Radoiçiq me kompanitë në emër të Radule Steviqit mori kontrata publike në vlerë prej 23 milionë eurosh nga institucionet e Kosovës në periudhën 2017-2023.
Përderisa në aktakuzë përmenden vetëm Leposaviqi, Zubin-Potoku, Zveçani dhe Mitrovica e Veriut si komuna të lidhura me këta tenderë, njëra prej kompanive që Prokuroria pretendon se është e Radoiçiqit ka marrë kontrata edhe në Komunën e Graçanicës, gjë që shihet në regjistrin “Prokurimi i hapur”.
Kompania P.T.P. “Rad” është përmendur edhe në gjykimin e ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, për korrupsion.
“1. Më datë 06.06.2018 është lidhur marrëveshja për konsorcium në mes të kompanive ‘DOO Zubin-Potok’ si përfaqësuese e konsorciumit dhe P.T.P. ‘Rad’”, thuhet në aktgjykim.
Në Themeloren e Prishtinës, Rikalo dhe të tjerët u dënuan, por të gjithë të akuzuarit u liruan më pas nga Apeli.
Ndërkohë, lidhur me gjykimin për rastin e grupit terrorist që sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, Miftaraj është shprehur se gjykimi do të bëhet vetëm për tre të pandehurit që janë në paraburgim, meqë, sipas tij, Kodi Penal, në bazë të të cilit akuzohen 42 të pandehurit e tjerë, nuk e mundëson gjykimin në mungesë, meqë kanë afat parashkrimi.
“Kodi i Procedurës Penale në njëfarë mënyre nuk e lejon gjykimin në mungesë për veprat penale për të cilat këta akuzohen. Nëse do të ishte përfshirë për shembull vepra penale “vrasje e rëndë” në rastin e vrasjes së zyrtarit policor që u vra në veri, atëherë do të hapej mundësia që të vazhdohej edhe me gjykimin në mungesë”, ka thënë Miftaraj.
Për sulmin në Banjskë, aktakuzë është ngritur ndaj 45 personave, përfshirë edhe ndaj Milan Radoiçiqit, që ka pranuar se e ka organizuar grupin.
Me ndihmën e kompanisë në emër të Steviqit, sipas Prokurorisë Speciale, Radoiçiq ka marrë kontrata në Kosovë edhe për punët që nuk i ka kryer.
“Çdo përkrahje institucionale e ofruar nga buxheti i Kosovës për qytetarët e pjesës së veriut ka përfunduar në duart e të pandehurit Milan Radoiçiq, ku i njëjti kishte arritur të krijonte biznese të cilat shiheshin si të ligjshme dhe fitonte kontrata publike. Ngjashëm, e njëjta skemë ishte zhvilluar në Serbi por me vetëdije dhe me qëllim të luftës kundër rendit juridik kushtetues të Republikës së Kosovës… Forma e parë e financimit duke i keqpërdorur tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare. Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të së ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovë dhe Metohi’”, thuhet në aktakuzë.