Një aksident mes një autoambulancës dhe një veture tjetër ka ndodhur të mërkurën në hyrje të Gjilanit, konkretisht në rrugën “Avdullah Tahiri”, ku si pasojë një person ka humbur jetën.
Gjatë transportimit të pacienti nga Kamenica për në Gjilan, autoambulanca është penguar nga një veturë tjetër duke shkaktuar vdekjen e personit që po e transportonte personeli shëndetësor.
Por Policia e Kosovës ka dhënë dy versione te ndryshme për ngjarjen në fjale.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi aksidentimin e autoambulancës.
Hashani ka thënë për Periskopin se pacienti ka vdekur para aksidentit, bazuar në konstatimet e stafit shëndetësor të autoambulancës dhe qendrës emergjente në Gjilan. Megjithatë ai ka thënë se këtë do të konfirmojë obduksioni i trupit të të ndjerit.
“Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se aksidenti i trafikut ka ndodhur kur ( automjeti i ndihmës së shpejtë me targa 01 i cili vinte nga drejtimi i Kamenicës me të arritur në hyrje të Gjilanit, të njëjtit i pret rrugën automjeti Mitsubishi me targa 06 dhe me këtë rast, shkaktohet aksident trafiku me dëme të vogla në automjetet e involvuara”, ka thënë Hashani.
“Sipas personelit mjekësor që ishte duke e transportuar L. M. (1932) tani i ndjerë, i cili ka qenë duke u dërguar në QE Gjilan me automjetin e ndihmës së shpejtë, që nga fshati Dobërqan i njëjti sipas konstatimit të personelit mjekësor nuk ka pasur puls. Po ashtu sipas mjekëve kujdestarë në QE Gjilan, dyshohet se personi i cili ka qenë duke u transportuar në QE Gjilan, të ketë ndërruar jetë kohë më parë para se autoambulanca të arrinte në Gjilan dhe para se të ketë ndodhur aksidenti” ka thënë Hashani.
Në anën tjetër, në raportin e 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se aksidenti ka qenë me pasoja fatale.
“Aksident trafiku me fatalitet. Rr. Avdullah Tahiri, Gjilan 26.05.2021-11:25. Është raportuar për një aksident trafiku në mes të dy automjeteve. Përveç dëmeve materiale lëndime vdekjeprurës ka pësuar një kosovar. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion në Prishtinë”, thuhet në raportin e Policisë.