Bordi i Asosacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar që problemi rreth grevës në arsim dhe administratë të zgjidhet në nivel nacional, sepse ky problem sipas tyre është nacional e jo lokal.
Ata kanë thënë se zgjidhja e këtij problemi nuk mund të bëhet në komuna veç e veç.
Bordi i AKK-së ka konsideruar që kompetencat sa i përket punëtorëve arsimor (parauniversitar) u takojnë komunave dhe për këtë arsye kërkojnë që presioni i Qeverisë për të marrë listën e punëtorëve grevist përmes shkresave dhe inspektorëve te arsimit është jashtë çdo norme dhe logjike.
“Komunat i kanë kompetencat e tyre vetanake të dhëna në ligjin mbi vetëqeverisje lokale dhe Qeveri mos bëni presion mbi zyrtar komunal për sigurimin e listave të punëtorëve grevist. Kompetencat që burojnë nga ligji për vetëqeverisje lokale janë duke u ushtruar edhe në këtë çështje. AKK edhe njëherë i bënë thirrje qeverisë që urgjentisht të ulet e të bisedoj me sindikatat përkatëse, në mënyrë që mos të pësojnë edhe më tutje nxënësit dhe qytetarët”, kanë thënë nga AKK-ja.