Varësisht natyrës së tyre, varësisht problematikave dhe temave që shtjellojnë, revistat janë mjet mediatik dhe, për nga roli, mund të jenë organ institucionesh, por edhe vepër e iniciuar nga ndonjë figurë publike, personalitet që gëzon autoritet në fushën përkatëse. Revistat janë produkt i përpjekjeve dhe nevojave për të përcjellë mesazhe të caktuara që informojnë; revistat janë një fushë e ravijëzuar në të cilën shprehen afinitetet, shqetësimet intelektuale e shkencore, shpalosen vlera historike, por dhe bashkëkohore si dhe ndriçohen kahet dhe prurjet më të fundit në fushë të caktuar. Bota e letrave shqipe që nga Lëvizja e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme njeh mbi 200 revista javore, dyjavore, mujore, periodike, vjetore, të fushave dhe llojeve të ndryshme.
Revistat (sidomos ato për letërsi, art e kulturë) në momente të caktuara për popullin shqiptar kanë luajtur rolin vendimtar, qoftë në ndërgjegjësimin e tij për peshën dhe rolin e identitetit kulturor të kombit, qoftë për ngritjen e nivelit të vlerave krijuese.
Nuk ka shqiptar nga viset etnike dhe më gjerë që nuk di për revistën “Jeta e Re”, të themeluar dhe të udhëhequr më shumë se dy dekada e gjysmë nga poeti i kombit, Esad Mekuli! Nuk ka shqiptar që nuk e di rolin e jashtëzakonshëm kombëtar që e luajti kjo revistë në zhvillimin kulturor e letrar të shqiptarëve që pas luftërave botërore ngelën jashtë kufirit të Shtetit amë. Kjo revistë, përveçse përpiqej që shkencërisht t’i bëjë ballë politikave shovene që po luheshin mbi kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, pati rolin edhe të gjetjes dhe të përkrahjes së talenteve letrar si dhe të mendimit intelektual të kohës, të cilët, të rritur e të kalitur nga kjo revistë, do të bëhen intelektualë e krijues të kombit, bartës e shtytës të proceseve e shoqërore, kulturore, politike, deri në çlirimin e Kosovës.
Po kështu, rolin dhe detyrën e përkrahjes si dhe të zhvillimit kulturo-letrar të shqiptarëve të RMV-së e luajti edhe revista për letërsi, art, kulturë, “Jehona”, e Redaksisë “Flaka e Vëllazërimit”! Edhe nga kjo revistë do të dalin emrat më të spikatur të krijimtarisë artistike e letrare nga Maqedonia e Veriut.
Rrethanat e reja shoqëroro-politike, përpjekjet e fundit kolonialiste të Serbisë që u përpoq ta zaptojë përfundimisht Kosovën, ndikuan që shumë projekte kombëtare shqiptare, shumë procese të avancimit të përgjithshëm të shqiptarëve, shumë angazhime të flakta për t’i nxjerrë në pah dhe shtuar vlerat kulturore shqiptare u stopuan, u mbyllën me masa të dhunshme serbe, financimet u kushtëzuan me njohjen e autoritetit të plotë të Serbisë mbi Kosovën etj. Pas pavarësisë së Kosovës, nën rrethana të reja shoqërore-historike, të etur e me vullnet të mirë për të kontribuar gjithsecili në fusha përkatëse, në ngritjen e shtetit të Kosovës dhe në avancimin e gjithmbarshëm të shoqërisë shqiptar, u vërejtën nisma të reja, angazhime të shumta entuziaste, por dhe profesionale. Natyrisht, këto rrjedha do të ndikojnë edhe në shpërndarjen e potencialit si drejtues ashtu edhe botues, nëpër ndërmarrje e produksione që ishin në gara për të thithur sa më shumë artistë e krijues. Ky proces fuqizoi shoqërinë civile, njohu iniciative te reja kreative, hapi mundësi për përfshirje të sa më shumë intelektualëve, artistëve, krijuesve.