“Skënder Anamali – një themelues i arkeologjisë shqiptare” është veprimtaria, që organizohet nesër në 100 -vjetorin e tij të lindjes. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Komisioni i përhershëm i histori-arkeologjisë, në bashkëpunim edhe me Institutin e Arkeologjisë do të zhvillojnë veprimtarinë, në nder të themeluesit të arkeologjisë shqiptare, që bën bashkë akademikë dhe profesorë.
Në këtë aktivitet që nis në orën 11:00 akademikët do të sjellin në vëmendje kontributin e madh të Skënder Anamalit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Akademiku Muzafer Korkuti do të mbajë kumtesë me temë “Skënder Anamali, mësuesi, kolegu, miku i arkeologëve të rinj”.
Profesor Neritan Ceka me “Skënder Anamali ndër katër manjifikët e arkeologjisë shqiptare”, profesor Luan Përzhita do të mbajë kumtesën “Skënder Anamali si iniciator i kërkimeve në fushën e arkeologjisë arbërore” dhe prof. Gëzim Hoxha me “Arkeologjia e periudhës romake në Shqipëri; kontribut i prof. Skënder Anamalit”. Veprimtaria do të mbahet në Akademinë e Shkencave, me pjesëmarrje fizike dhe online. Skënder Anamali (1921 – 1996) ishte një nga katër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, së bashku me Hasan Cekën, Frano Prendin dhe Selim Islamin.
Nxënësi i gjimnazit të Shkodrës, studenti i Universitetit të Padovës (Itali) filloi aktivitetin e vet shkencor si arkeolog në Institutin e Shkencave Tiranë (1947). Së bashku me arkeologun tjetër pionier H. Cekën grumbulloi material nga terreni dhe hapin Muzeun e parë Arkeologjik në Tiranë. Në vitet 1948-1952 pasojnë ekspeditat e para informative në qendrat e mëdha arkeologjike të Shqipërisë. Në vitet 1952-1956 kryen gërmime në varrezat tumulare të Matit dhe në qytetin e Amantisë.
Ndërsa në vitet ‘60 fillon gjurmimin e kulturës arbërore të Komanit (Krujë, Koman, Bukël, Shurdhah) dhe në kalatë antike të vona e mesjetare (Stelush, Pogradec, Kaninë, Berat etj). Në vitet 1970-1980, gërmimet në bazilikat Lin dhe Ballsh, qytetet Shkodër e Butrint, si dhe një ekspeditë e parë në Kosovë (Llashticë, 1980). Bashkautor në konceptimin dhe paraqitjen e Muzeut Arkeologjik Tiranë dhe pavionit të arkeologjisë në Muzeun Kombëtar, Muzeut të Armëve Gjirokastër, Muzeut të Skënderbeut në Krujë, etj. Prof. Anamali u afirmua në plan kombëtar e ndërkombëtar si një personalitet i shquar i shkencës.