[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Akademi e Shqipërisë e nderon Idriz Ajetin me çmimin e karrierës



Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së akademikut, Idriz Ajetit, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës sot është mbajtur një konferencë jubilare, ku u vlerësua roli i tij si krijues i madh i politikave arsimore e shkencore të Kosovës, të institucioneve të arsimit dhe si një dijetar me kontribut e ide origjinale themelore.

Në këtë konferencë jubilare morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, ambasadori i Shqipërisë, Qemail Minxhozi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Demaj, albanologë të huaj, profesorë dhe studiues të gjuhës shqiptare dhe akademikë tjerë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami tha se profesor Idriz Ajeti simbolizon një epokë të albanologjisë.

Sipas tij, emri dhe vepra i tij do të jetojë për aq kohë sa do të jetojë edhe gjuhësia shqiptare dhe shkencat albanologjike.

“Profesor Idrizi Ajeti ka një rrugë të ngjeshur jetësore, shkencore dhe intelektuale. Jetoi, veproi dhe krijoi, thënë kushtimisht, në tri regjime, si tri epoka, në të cilat kombi dhe kultura shqiptare përjetuan zhvillime dramatike: ngritje dhe rënie, prosperitet dhe ngufatje. Ai e përjetoi rrugëtimin e rëndë të Kosovës dhe të shkencave albanologjike në gjithë kompleksitetin e tyre, duke qenë edhe dëshmitar edhe pjesëmarrës, me të gjitha ballafaqimet…. Brezat, pa mëdyshje, do të jenë mirënjohës për trashëgiminë e tij në fushën e dijeve albanologjike dhe në afirmimin e rezultateve të tyre jashtë kufijve kombëtarë e ballkanikë. Vepra e tij shkencore në gjuhësi pa dyshim do të mbetet burim i pashmangshëm reference. Profesor Idriz Ajeti simbolizon një epokë të albanologjisë, prandaj emri dhe vepra i tij do të rrojnë sa kohë të rrojnë gjuhësia shqiptare dhe shkencat albanologjike”, tha Islami.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, e nderoi profesorin Idriz Ajeti me një diplomë për shkrim shkencor kombëtar për vitin 2016.

Sipas tij, ky çmim i është dedikuar profesorit Ajeti për veprimtarinë e gjatë dhe të frytshme akademike e universitare për një periudhe shtatë dekadëshe në shkencat albanologjike.“Idriz Ajeti, dijetari me kontribut dhe vepër origjinale themelore në gjuhësi dhe personalitet me ndikim në historinë e mendimit shqiptar, një figurë e shquar e shkencës albanolgjike. Dy akademitë tona e nderojnë dhe e lartësojnë figurën e profesorit Idriz Ajeti, me mbajtjen e kësaj konference jubilare ndërkombëtare, ku natyrisht do të referojnë sfiduesit, njohësit më të mirë të veprës së profesorit. Po në raste të tilla, në përvjetorësh të mëdha ka edhe vlerësime të tjera dhe Akademia e Shkencës së Shqipërisë, ka organizuar për herë të parë dhënien e çmimeve shkencore kombëtare, për kontribute në fushat e shkencave albanologjike, dhe juria e këtij çmimin, nderon akademik Idriz Ajeti me çmimin e karrierës, i cili jepet për herë të parë nga akademia e jonë”, tha Korkuti.

Kurse, rektori Marjan Demaj, tha se Universiteti i Prishtinës e cilëson profesor Idrizin si një xhevahir të tij.

“Me emrin e tij lidhen një varg procesesh që janë zhvilluar pas luftës së dytë në Kosovë, procese këto të cilat i sigurojnë profesor Idrizit vend meritor në formimin dhe zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shkencore. Emri i tij është skalitur në opusin e shkencës, dhe arsimit jo vetëm në Kosovë. Shumë institucione shkencore e arsimore lidhen me emrin e tij, nder to i pashmangshëm dhe pritar është edhe Universitetit i Prishtinës”, tha Demaj.

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi e cilësoi figurën e profesor Ajetit, si një themelues dhe ndikues në krijimin e institucioneve me interes shkencor e kombëtar të vendit.“Emri i tij është figurë themelore e studimeve albanologjike në Kosovë. Por, edhe themelimin e një vargu të institucioneve me interes shkencor e kombëtar, sikurse janë Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsisë Shqiptare”, tha Matoshi.

Ndërsa, ambasadori Qemail Minxhozi tha se nuk ishte thjeshtë themelues i institucioneve arsimore të përmendura në konferencë, por ai i thelloi idetë e tija në zhvillimin e këtyre institucioneve tepër të rëndësishme të Kosovës.