[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

AGK reagon ndaj një postimi në FB të drejtorit të RTK, Mentor Shalës



Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim një postim në rrjetin social Facebook të drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala.

AGK konsideron se gjuha e përdorur nga z.Shala paraqet ofendim dhe kërcënim për punëtorët e mediumit publik, duke përfshirë anëtarët tonë që punojnë në këtë medium.

AGK është njoftuar nga punëtorët e mediumit publik se ky reagim i z.Shala vjen pas takimeve të ndara që drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së kanë zhvilluar me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe me të gjitha grupet parlamentare lidhur me draftimin e ligjit per RTK-në dhe gjendjen e përgjithshme në Transmetuesin Publik.

AGK konsideron se gjuha ofenduese dhe denigruese e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është e papranushme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i rekomandon Bordit të RTK-së që si organ mbikëqyrës të distancohet nga fyerja e tillë.

Si gjithnjë, AGK kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për Radio Televizionin e Kosovës. Kuvendi e ka për obligim që të bëjë një zgjidhje të qëndrueshme për RTK-në, gjithmonë duke dëgjuar zërat e të gjithë akterëve relevant në këtë proces, thuhet ne reagimin e AGK-se .

 

 

Ja postimi i Mentor Shales ne Facebook

 

 

Në kohën kur definimi me ligj i çështjes së financimit dhe pronës së RTK-së është para përfundimit, janë intensifikuar përpjekjet e disa transmetuesve konkurent dhe disa partive politike duke i aktivizuar ‘bakteriet’ e tyre në RTK që me çdo kusht ta ndalojnë miratimin e këtij ligji duke u munduar kështu ta shkatërrojnë Transmetuesin Publik. I kuptoj plotësisht përpjekjet e KTV e RTV21 të cilat me rënien eventuale të RTK tentojnë ta marrin primatin në tregun medial transmetues, por nuk po i kuptoj disa ‘bakterie’ të RTK-së të cilët pa RTK-në as qentë nuk i hajnë, se si e harxhojnë tërë energjinë për me shkatërru RTK-në dhe atë duke kërkuar ndihmë nga politika!!!
Prandaj edhe janë “bakterie” politike brenda RTK!
Por për secilën bakterie ka antibiotik!
RTK i ka kalu tana sfidat, madje edhe sulmet me bomba, prandaj keni kujdes!!!
Ajo që është me rëndësi në RTK, 97% e stafit e dojnë vendin ku punojnë!
Bashkë më kolegët e mi, që janë krejt stafi i RTK-së, që prodhojnë çdo ditë nga 96 orë program televiziv, 48 orë program të radios, furnizojnë youtube e facebook me lajme e videolajme çdo ditë, prodhojnë lajme për web, etj, kemi me rrit buxhetin, kemi me ba pronën, kemi me ndërtu objektin dhe kemi me qenë numër 1 për një kohë shumë të gjatë në Republikën e Kosovës!

P.S. Vetëm me jua kujtu, sa mos me harru!