[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Agjencia ruse e lajmeve: Ja sa miliona pagoi Vlora Çitaku për tu takuar me Donald Trumpin



Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ishte takuar me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, me 18 janar, dy ditë para inaugurimit të Trump-it President dhe sipas një analisti serb, ky takim ka kushtuar hiç më pak se një milion dollarë, njofton Klan Kosova.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve ruse Sputnik – e cila është propaganduese e politikave të Presidentit rus, Vladimir Putin – analisti politik, Brankica Ristiq, thotë se një milion dollarët për t’i mundësuar takim Çitakut me Trump-in i pagoi Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë kjo që lobon fort për interesat e shqiptarëve në SHBA.

“Në ndejën para inaugurimit në Uashington, ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku bisedoi me presidentin e SHBA-ve dhe shumë veta thanë se kjo ka kushtuar një milion dollarë”, ka thënë Ristiq për agjencinë e afërt me Moskën zyrtare.

Ambasadorja kosovare ishte ndër të paktët nga përfaqësuesit diplomatikë që kishte pasur rastin ta njoftojë dhe t’i flasë personalisht Trump-it për Kosovën dhe popullin e saj pro-amerikan.

“Mbrëmje e mrekullueshme në darkën speciale të organizuar nga Komiteti i Inaugurimit të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për komunitetin diplomatik”, kishte shkruar Çitaku në llogarinë e saj në Facebook, duke e dokumentar takimin edhe me disa fotografi.

Çitaku atë natë, pos Trump kishte takuar edhe disa personalitet të larta të kabinetit të tashmë presidentit të ri.

“Pata rastin të flas shtruar me presidentin e zgjedhur, Trump, me të nominuarin për Sekretar Shteti, Rex Tillerson dhe këshilltarin për Siguri, Michael Flynn. U thash se jam një ambasadore krenare e vendit më pro-amerikan në botë”, pati shkruar Çitaku, njofton Klan Kosova.