Agjencia kundër Korrupsionit ka njoftuar se përgjatë muajit janar 2022, ka trajtuar 298 raste të lidhura me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit për procesin e deklarimit të pasurisë, parandalimin e konfliktit të interesit, parandalimin e korrupsionit në prokurimin publik, si dhe raste te tjera të trajtuara sipas detyrës zyrtare.
Gjatë muajit janar 2022, Agjencia kundër Korrupsionit ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake për 167 raste, dy kallëzime penale dhe 1 informatë janë finalizuar dhe dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit në shkurt, si dhe një informatë është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
“Në raport me veprimet për kontroll të plotë të pasurisë, AKK, ka përfunduar kontrollit e plotë të pasurisë për 80 raste, 20 nga rastet i janë nënshtruar kontrollit të plotë të pasurisë, janë bartur për hetim të mëtutjeshëm, ndërsa, për dy raste është hapur procedura, pas pranimit të denoncimeve” thuhet në njoftimi e Agjencisë.
Vetëm gjatë muajit të kaluar, AKK thotë se ka iniciuar 12 raste të reja, ka ofruar 9 përgjigje për subjektet që kanë adresuar kërkesa për sqarim te situatave të dyshuara për konflikt të interesit, si dhe janë mbyllur 9 raste tjera të trajtuara, nga të cilat një me dorëheqje të zyrtarit të lartë nga një funksion publik./Botapress.info/