[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Agim Muhaxheri: Fizkultura gjyqësore franceze



Botapress, 9 Shkurt

 

Shkruan: Agim Muhaxheri

Loja me “pacientin” e Interpolit, Ramush Haradinajn. Gjykatësve francezë nuk u ngutet, e zvarrisin procedurën për ti bërë qejfin Serbisë. Pikësynim i Serbisë është t’i deh francezët. Në këtë kontekst, publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij “Zotërinj porotë” e përdor një shprehje angleze “Who the hell you think you are?”.

——————–

 

Ajo çfarë ndodhi sot (9 shkurt) me Ramush Haradinajn në Gjykatën e Apelit në Colmar të Francës s’është gjë tjetër pos një fizkulturë gjyqësore. Përse e them këtë ? Pikësynim është të zvarritet procesi, të rrij i ngujuar Ramushi në njërin nga “kafazët”, të mos e lëshoj Francën deri në përfundim të vendimit.

Gjykata e Apelit vendosi që seanca të shtyhet për muajin e ardhshëm, përkatësisht më 2 mars. Me këtë veprim i bëri qejfin Serbisë armike.

E enjtja ishte ditë e shtyerjes së seancave. Shtyhet seanca në gjykatën franceze, shtyhet seanca edhe në Kuvendin e Kosovës, kjo e dyta në shenjë të protestës për lajmin e hidhur.

Kuvendi nuk nxori rezolutën për “gjendjen në veri të vendit”, të shkaktuar nga regjimi i Beogradit, regjim ky që bëri “poternicën” Ramushit.

Një parandjenjë për shtyerjen e seancës gjyqësore e kishte edhe Ramushi, i cili pati thënë se nuk i dihet, mund të lirohet më 9 shkurt apo në ndonëj datë tjetër. Doli ashtu siç e parandjeu.

Lënda qenka e “trashë” për gjeneralin e luftës dhe ish – kryeministrin Ramush Haradinaj ! Gjykatësve francezë nuk u ngutet. E tirin drejtësinë “piano piano”, nen për nen, për ta nxjerrë në shesh të vërtetën.

Ramushi dy herë hyri në “rëndgenin” e Gjykatës së Hagës, i akuzuar për krime të luftës. Kjo gjykatë i refuzoi të gjitha akuzat, e liroi si të pafajshëm.

Për gjykatësit francezë nuk vlen parimi juridik “non bis in idem” (jo dy herë për të njejtën çështje), ngase Serbia paska “zbuluar prova të reja” !

Cilat janë “provat e reja” ?

Ato janë qëndrimet politike të paraardhësit të Milosheviqit, regjimit të Aleksit (Vuçiqit) që Haradinaj me çdo kusht të ekstardohet në Serbi.

Gjyqet merren me prova juridike, jo me qëndrime, pallavra.

Tjetër është qejfi, tjetër drejtësia. Në këtë kontekst publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij “Zotërinj porotë” e përmend një shprehje në gjuhën angleze: “Who the hell you think you are?” që i bie: Çka e konsideron vetën, në dreq të mallkuar, se je ?

Ramushi është shtetas i Kosovës, pavarësinë e së cilës ndër të parat e ka njohur Franca.

Ç’kërkon Serbia për shtetasin e huaj ?

Juristët e dinë ç’është kompetenca reale dhe ajo territoriale, kush ndaj kujt mund të bëjë kërkesën për ekstardim.

Serbia shkel edhe të drejtën penale ndërkombëtare. Të gëlltitësh këtë të drejtë, kësaj i thonë vrasje juridike.

Franca, e cila konsiderohet si djep i lirive dhe të drejtave të njeriut, asessi, në asnjë mënyrë s’bën të bie pre e aventurave serbe.

Haradinaj e bën luftën për lirinë e tij, ndërsa drejtësisa e bën luftën ta vërtetoi vetëvetën.