[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Afër 1000 aksidente në komunikacion pas reshjeve të borës



Pas reshjeve të fundit të borës, në gjithë territorin e Kosovës kanë ndodhur rreth 224 aksidente në komunikacion që kanë rezultuar me lëndime të personave dhe 683 aksidente të tjera që kanë rezultuar me dëme materiale, megjithatë, nuk është evidentuar asnjë aksident me pasoja fatale.

Në Klinikën Emergjente thonë se kohët e fundit është vërejtur një zvogëlim i numrit të të lënduarve në komunikacion, por kanë ngritje të të lënduarve si pasojë e rrëzimit apo rrëshqitjes.

Derisa, rrugët në kryeqytet janë të pastruara por e njëjta nuk mund të thuhet edhe për trotuare.

Edon Gashi, qytetar nga Prishtina, tha se rrugët janë të kalueshme përveç disa rrugicave që janë më thellë në qytet.

Edhe Asllan Kllokoqi, qytetar nga Prishtina, tha se rrugët janë të pastruara mirë dhe se nuk ka vështirësi të kalojë me veturën e tij.

Klit Çollaku, tha se rrugët janë të kalueshme në Prishtinë dhe sipas tij, kryeqyteti është shembull për të gjitha qytetet e tjera të Kosovës.

Se rrugët janë të pastruara dhe të kalueshme në komunën e Prishtinës e thotë edhe shefi i emergjencave në këtë komunë, Ibush Kelmendi. Sipas tij, gjendja e rrugëve në qendër të Prishtinës është në nivel shumë të mirë, por që shton se ka pak probleme me zonat rurale të qytetit.

Përkundër rrugëve të pastruara, njëjtë nuk është edhe me trotuaret. Jakup Demaku thotë për KosovaPress, se trotuaret janë shkret dhe kalohet me shumë vështirësi.

Esat Kelmendi thotë se trotuaret nuk janë të pastruara fare dhe ai thotë se rrugë pa trotuare vetëm në kryeqytetin tonë sheh.

Edhe shefi i emergjencave, Ibush Kelmendi, thotë se prioritet i është dhënë pastrimit të rrugëve, por që nga dita e hënë pjesa dërrmuese e trotuareve janë të pastruara.

Kelmedni tha se një problem që është hasur gjatë pastrimit të trotuareve, është numri i madh i veturave që gjenden nëpër trotuare dhe në këtë mënyrë kompanitë e kanë pasur të pamundur të pastrojnë borën.

Ndërsa, gjatë periudhës 18 ditore në Kosovë nuk është shënuar asnjë aksident me pasoja fatale. Këtë e bënë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 224 aksidente që kanë rezultuar me lëndime të personave të përfshirë në komunikacion rrugor dhe 683 aksidente vetëm me dëme materiale.

Kurse, në qendrën emergjente të QKUK-së kanë kërkuar ndihmë mjekësore më tepër se 95 persona, të cilët kanë pësuar lëndime të sistemit ostromuskuar si pasojë e rrëzimit apo rrëshqitjes.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, thotë se në kohët e fundit kanë zvogëlim të numrit të të lënduarve në komunikacion, por kanë ngritje të të lënduarve që kërkojnë shërbime emergjente për shkak të lëndimeve të sistemit ostromuskular.

Edhe në ditët në vazhdim në vendin tonë do të ketë mot kryesisht të vranët dhe me reshje të borës, të cilat fillimisht do ta përfshijnë veriun e vendit dhe më tej gjithë territorin.