Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, vazhdoi sot fushatën elektorale në Mitrovicë, një qytet që ai e përshkroi si simbol të bashkimit dhe rezistencës.
Mitrovica është më shumë se një qytet – Mitrovica është simbol i përpjekjes për bashkim e nevojës për rezistencë!” deklaroi Abdixhiku përpara mbështetësve të shumtë, ndërsa vlerësoi kontributin e qytetit.
“Ky qytet ka qenë gjithmonë zemra e Kosovës. Mitrovica ka lindur dhe rritur njerëz të pashembullt, punëtorë, intelektualë, artistë dhe heronj që i dhanë Kosovës shpirt dhe jetë. Nga gurët e kombinatit të Trepçës që kanë ushqyer ekonominë e vendit për dekada, deri te rrugët dhe sheshet ku çdo anë frymon histori, Mitrovica është dhe do të mbetet simbol i forcës sonë kombëtare.” – tha Abdixhiku.
Abdixhiku i bëri thirrje qytetarëve që të refuzojnë përçarjet dhe urrejtjen.
“Dhe sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për atë frymë të Mitrovicës, për atë energji të pathyeshme që e bën këtë qytet kaq të veçantë.
Prandaj nuk jam sot mes jush të ju ftoj nëndarje e përcarje. Të ju nxis në urrejtje ndaj tjetrit. Të ju ndajë në patriot e tradhëtarë, me mua apo me Serbinë!
Jemi pak për tu ndarë!
Jemi pak për tu sharë!
Jemi pak për të nxitur urrejtje ndaj tjetrit!” – shtoi ai.
Në fund, Abdixhiku theksoi rëndësinë e një drejtimi të ri për vendin dhe të një rikthimi të fuqishëm të LDK-së si forca udhëheqëse.
“Sot jam këtu të ju shtroj dorën e afrimit, të shpalosi programin e ndryshimit e mbi të gjitha, të përhapë kushtrimin e djathtë kombëtar se koha për LDK-në sërish ka ardhë!”