Në 19 vjetorin e vrasjes së Kolonel Tahir Zemaj, birit të tij, Enisit dhe kryetarit të Forumit të Rinisë së LDK-së, Hasan Zemaj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë bërë homazhe dhe kanë nderuar jetën e tyre.
“Sot, janë bërë 19 vjet nga vrasja e Kolonel Tahir Zemaj, birit të tij, Enisit si dhe kushëririt, Hasan Zemaj.
Më 4 janar të vitit 2003, Kosova u trondit nga lajmi tragjik i vrasjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarakut dhe strategut të luftës, Kolonel Tahir Zemaj. Ai së bashku më të birin Enisin dhe kushëririn Hasan Zemaj, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan u ekzekutuan nga një breshëri plumbash gjërsa po ktheheshin në shtëpi me veturën e tyre.
Kolonel Tahir Zemaj ishte profili ushtarak që udhëhoqi shumë beteja të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin kundër regjimit serb, veprimtar i çështjes kombëtare, aktivist i orëve të para i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova.
Tash kur kanë kaluar pothuajse dy dekada nga vrasja e tyre ende nuk është zbardhur rasti makabër i krimit. Lidhja Demokratike e Kosovës, familjarët dhe miqtë që e njohën Tahirin, Enisin dhe Hasanin nuk do të jenë të qetë gjersa autorët e krimit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Në 19 vjetorin e vrasjes të Kolonel Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, Lidhja Demokratike e Kosovës i kujton me nder dhe krenari. Ata ishin dhe mbesin frymëzim e sakrificë për idealin e një bote të lirë e udhërrëfyes për gjeneratat e reja që do rriten në këtë vend.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta.
Lavdi jetës dhe veprës së Kolonel Tahir Zemaj, Enis Zemaj dhe Hasan Zemaj!” thuhet në njoftimin e Zyrës për Medie të LDK-së përcjellë Botapress/