Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së ish deputetit të PD’së, Gerti Bogdanit, i cili vdiq sot.
Abdixhiku ka thënë se Gerti Bogdani tërë jetën ia kushtoi promovimit të vlerave demokratike në Shqipëri e Kosovë.
“E nderuara familja Bogdani, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të mikut tim dhe të Lidhjes Demokratike, Gerti Bogdani, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi promovimit të vlerave demokratike në Shqipëri e Kosovë. Gerti ishte politikan model duke shërbyer si inspirim për çdo të ri në politikën shqiptare. Ai rrjedhte nga një familje tiranase me traditë dhe u bë përfaqësuesi më i mirë i rinisë shqiptare. Gerti ndihmoi e dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për anëtarësimin e LDK-së në EPP, gjatë kohës sa ishte përfaqësues i PD.”
Ai ka shtuar se “humbja e tij e papritur, është humbje e madhe për shqiptarët”.
“Për ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës, bashkëpunimi dhe lidhjet tona me të do të mbeten kujtim i çmuar.”
“Në emër timin personal dhe anëtarësisë së Lidhjes Demokratike, i shprehim ngushëllime gruas Edlirës, prindërve të tij, fëmijëve, gjithë familjes Bogdani, miqve dhe të gjithë atyre që njohën.”