[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

AAK: Shumë arsyeje që vendi të shkoj në zgjedhje



Derisa në vend janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme të jashtëzakonshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se zhvillimet e fundit politike janë arsyeje e mjaftueshme që vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë.

Në një prononcim për Indeksonline, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka theksuar se gjithmonë ekziston një e keqe më e vogël se tjetra, e që sipas tij më e mira do të ishte që koalicioni që e ka pushtetin aktualisht, të ishte funksional dhe zgjedhjet të mbaheshin në kohë të rregullt, por që nuk është kështu në rastin e Kosovës.

“Shumica parlamentare nuk ka mundur që t’i adresojë disa prej çështjeve shumë të rëndësishme me të cilat është përballur vendi. Dështimi në zgjidhjen e çështjes së demarkacionit, më pastaj marrëveshja shumë problematike e asociacionit prapa të cilës ka qëndruar qeveria, shkalla shqetësuese e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, dështimi që Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave dhe një varg çështjesh të tjera, janë arsye të mjaftueshme që vendi të shkojë në zgjedhje sa më parë. Kjo do të ishte një rrugëdalje edhe për vetë koalicionin ekzistues”, ka thënë Nitaj, shkruan Indeksonline.

Sipas këtij të fundit në një situatë të tillë siç është tani, ka pak rëndësi se nëse një parti politike është e gatshme apo jo për zgjedhje.

“Në një situatë të tillë, është pak e rëndësishme nëse një parti politike është e gatshme për zgjedhje apo jo. As në AAK nuk bëhen kalkulime të tilla. Ne besojmë se vendi ka nevojë për zgjedhje, dhe partitë politike duhet t’i përshtaten kësaj nevojë. Zgjedhjet asnjëherë nuk bëhen për interesa partiake, sepse po të ishte kështu, nuk do të mbaheshin asnjëherë. Gjithmonë pushtetin do ta mbanin ata që e kanë fituar njëherë”, ka thënë Nitaj.