[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

AAK – Nisma: Do ta godasim pozitën



Koalicioni parazgjedhor AAK-Nisma do të ketë rezultat tejet të mirë në zgjedhjet e parakohshme.

Kështu së paku deklarojnë përfaqësuesit e këtyre subjekteve, të cilët për “Zeri.info” thonë se, forca e bashkuar mes këtyre dy partive, do ta godasë ashpër koalicionin qeverisës PDK-LDK.

Ata madje, synojnë se do të dalin si subjekti i parë pas zgjedhjeve.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje te parakohshme. Sipas saj, Nisma një gjë të tillë e ka kërkuar qysh moti.

“Nisma për Kosovën ka kërkuar zgjedhje të parakohshme që nga dhjetori i 2015, pra që nga momenti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, vendim që e dëshmoi se z.Mustafa ka bërë shkelje të aktit më të lartë të shtetit”, ka deklaruar ajo për “Zeri.info”.

Ajo më tej, ka thënë se Nisma do ta godasë koalicionin qeverisës, ashtu si e goditur PDK-në në Drenas.

“Se sa jemi të përgatitur ne, unë mund t’iu them se Nisma për Kosovën ashtu siç e dërgoi  në balotazh PDK-në në Drenas, ashtu fuqishëm do t’iu japim goditje si në nivel lokal ashtu edhe atë nacional, partive që tash po qeverisin”, ka shtuar ajo.

Bajrami gjatë bisedës, është shprehur e bindur se koalicioni Nisma- AAK do ta qeverisë vendin pas zgjedhjeve.

“Pra, kurdo që do të mbahen zgjedhjet Nisma për Kosovën së bashku me AAK-në do të qeverisin me vendin, sepse fundi po iu vjen atyre që për 3 vjet e shkatërruan vendit dhe për 3 vjet dëmtuan jetën dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka potencuar ajo.

Ndërkohë, tashmë të gjitha partitë janë shprehur të gatshme për zgjedhje, pavarësisht se ato në pushtet ende nuk janë deklaruar se vendi do te shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Nga ana tjetër, edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se koalicioni me Nismën është i gatshëm të hyjë në zgjedhje te parakohshme.

“Ne si koalicion AAK-Nisma, jemi gati kurdo që zgjedhjet të mbahen. Për vendin është më mirë sa më parë të shkohet në zgjedhje”, ka deklaruar ajo për “Zeri.info”.

Ajo më tej, ka vlerësuar se AAK dhe Nisma, tashmë kane një përkrahje të fuqishme prej qytetarëve.

“Natyrisht presim fitore ngase përkrahjen që po e vërejmë tek qytetarët është mjaft bindëse, dhe se ky është koalicioni që do të jetë faktikisht interes i qytetarëve,duke drejtuar vendin në mënyrë të përgjegjshme dhe duke qenë llogaridhënës siç nuk ka ndodhur deri më tani”, ka shtuar Haxhiu tutje.