[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

A po i vjen Francës një Edith Piaf, shqiptare nga Kosova



Këngëtarja e re nga Franca Erza Muçolli dhe grupi ku ajo aderon Kids United vërshojnë skenën muzikore nëpër botë.

Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, këngëtari Shaqir Cërvadiku, më shkruan nga Brukseli në dua të marr pjesë në koncertin e grupit Kids United nga Franca, që më 28 janar 2017 do të mbahet po në Bruksel, ku do të këndojë edhe Erza Muçolli, këngëtarja e vogël shqiptare që me zërin e saj, me lëvizjet dinamike dhe elegate në skenë, konform përmbajtjes së këngës dhe ritmit muzikor, ka shpërthyer kufijtë e afirmimit edhe jashtë Francës. Pa mëdyshje i them po dhe t’i sigurojë biletat. Jo, ma kthen Shaqa, biletat për publik janë shitur të gjitha, por në emër të familjes, babai i Erzës, Mehmeti, na i ka siguruar dy bileta. Më entuziazmon kjo ofertë e rrallë. Ditët me borë shkojnë shpejt dhe vjen data e koncertit. Ka vite që nuk kam shkuar më me emocion në ndonjë koncert të rrallë. Ia mësyej Brukselit dhe me Shaqir Cërvadikun takohemi në lagjen Skarbeg të Brukselit, aty ku busti i Skënderbeut i bën rojë shpirit të shqiptarëve në zemër të Europës. Qyteti i madh, komunikacioni i dendur dhe mbrëmja, lëshohet përmes vranësirave të ditës së dimrit, që këtu zakonisht është me shira dhe mjegulla të lehta. Duhet të kalojmë në anën tjetër të Brukselit, deri në Avenue Victor Roussean 208, në Forest National, pra në sallën madhështore ku do të mbahet koncerti. Derisa policia rregullon komunikacionin, para Forst National, për ta pasur nën kontroll sigurinë e masës, në gjendje gatishmërie, më pushkë të gjata, duken grupe të vogla ushtarësh, pastaj policë dhe kujdestarë të shumtë të sigurisë. Në hyrje na pret Mehmet Muçolli me dy biletat e rezervuara. Salla e madhe, me mijëra ulëse, ka filluar të mbushet. Drejtohemi për në parter ku i kemi vendet tona. Derisa bisedojmë, një grup fëmijësh, i afrohen Mehmetit dhe kërkojnë të fotografohen secili veç e veç me të. E kanë pikasur që është babai i Erza Muçollit dhe nga pamundësia për ta takuar atë, duan të kenë foto me babain e saj. Salla mbushet ngadalë dhe kur afrohen sekondat e orës 17, fillojnë duartrokitjet. Europianët e vegjël nuk të falin. E duan saktësinë. Koncerti duhet të fillojë fiks në orën 17. Dhe ashtu bëhet. Në muzgun e sallës ku kanë zënë vend jo më pak se 6500 shikues, nën dritat që lëshojnë rrezet purpur, instrumentistët zënë vende e tyre, e nga lart, derdhet podiumit breshëria e duartrokitjeve.

Si të dilnin nga dheu, në skenë, pas shkrepjes së dritave plot ngrohtësi, shfaqen këngëtarët e vegjël që tashmë i njeh tërë bota: Erza, Esteban,Nilusi, Gabriel dhe Gloria.Tingujt e muzikës bëjnë që duartrokitjet të pushojnë për t’u bërë vend atyre zërave aq të afërt e aq të dashur për publikun. Nën dritat e skenës, që sa rrezatojnë në një kënd e sa në tjetrin, shfaqen këngëtarët me pjesët e tyre të këndimit dhe asnjëri nuk është vetëm. Shkronjë për shkronjë e fjalë për fjalë të shqiptuar i përcjell publiku. Të gjithë këndojnë me këngëtarët. Shfaqet solo edhe Erza Muçolli. Sallës së madhe si një stadium i del flaka.Përshëndetet me dritat e ndezura nga telefonat mobilë të publikut. Mijëra drita për Erzën. Ajo vazhdon këngën, e lirë në skenë, e përpiktë në këndim, me interpretim brilant dhe me levizje të naytrshme, duke i shkëputur herë pas here kembët nga podiumi nga emocionet e muzikës dhe mbi të gjitha, duke komunikuar sa me duar, sa me përkulje elegante, sa me lëvizje të mikrofonit me publikun. Se si m’u kujtuan në ato momente fjalët e një djaloshi shqiptar, kur më ndeshi muaj më parë duke dëgjuar në veturë këngët e grupit Kids United, sapo dëgjoi zërin e Erzës, më tha: Kjo do të bëhet Edith Piaf e Francës! Derisa e shikoj dhe e dëgjoj live këtë këngëtare premtuese dhe që me shtatin prej vogëlusheje mbretëron skenën e madhe dhe komunikon përmes këngës me gjithë atë publik, ndalem dhe rindalem të fjalët e atij djaloshi për Edith Piaf!

Erza Muçolli dhe grupi i saj Kids United vazhdojnë programin ndërsa publiku është pothuajse në këmbë pas zërit të tyre. Të shtojmë se ky grup, në organizim të UNICEF-it, ka mbajtur koncerte në shumë kryeqytete dhe qytete të botës. Ndërkaq albumi i tyre i fundit ka zënë vendin e tretë ne Francë përnga shitja, pas albumeve të para që janë shitur në mbi 500 mijë ekzemplarë secili veç e veç. Derisa koncerti afrohet nga fundi, njëri nga këngëtarët thërret publikun nga parteri të afrohen ndanë skenës dhe të këndojnë bashkë, me falënderime drejtuar qytetit mikpritës Brukselit, kënga këndohet nga mijëra zëra si në një kor gjigant. Ata pak shqiptarë që jemi aty sytë i mbajmë te Erza. Nga ajo turmë, vetëm ne kemi privilegjin të takohemi me të dhe të rrimë po ashtu pak çaste, derisa televizionet belge e kanë rrethuar grupin e këngëtarëve me kamera.Qyteti i Brukselit i nderon me diskun e artë. Me përqindjen që ka siguruar UNICEF me këtë grup ka ngritur shumë shkolla, spitale por edhe ka ndihmuar në sfera të tjera humanitare nëpër botë. Vjen edhe çasti kur mund të takohemi edhe ne shqiptarët me Erzën. Por megjithatë, atë e ndalin shume të tjerë pasi lirohet nga kamerat, duke u fotografuar dhe duke marrë autograme. Ajo hyn në mesin tone e vërshuar nga urimet që ia drejtojmë dhe me zërin kumbues në shqip shpërthen: O falemnderit, falemnderit! Ne jemi krenarë, por më shumë prindërit e saj që janë në mesin tonë. Pasojnë fotografimet dhe urimet e panumërta derisa në anën tjetër salla është zbrazur dhe Brukseli bartë drejt familjeve mbresat nga koncerti madhështor i këngëtarëve të vegjël. (Faruk Tasholli)

16427497_1374389119247096_3542270335653309652_n