Investime milionëshe për projekte nga më të ndryshmet kanë premtuar kandidatët për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale të këtij viti.
Premtimet e tilla janë bërë në dy raundet e zgjedhjeve lokale, përkatësisht më 17 tetor dhe më 14 nëntor.
Megjithatë në krahasim me të kaluarat, sipas analistëve politik, në këto zgjedhje programet e kandidatëve për kryetar dhe ofertat politike kanë qenë më të avancuara.
Ymeri: Shumë projekte të premtuara mund të vonohen ose të dështojnë
“Fushatat elektorale në Kosovë kanë pësuar një përparim të rëndësishëm në drejtim të programeve dhe ofertave politike të kandidatëve. Ku më shumë e ku më pak kemi një lëvizje prej përqendrimit të plotë në historinë e karakterin e kandidatit kah idetë e pikat programore që ata propozojnë. Në këtë drejtim jo përherë premtimet e tyre janë të mirë menduara. Por, së paku edhe në këtë drejtim shohim një përparim të rëndësishëm”, ka thënë për FrontOnline, drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.
Ai tregon edhe sa janë të realizueshme premtimet e kandidatëve.
“Një pjesë e premtimeve elektorale bartin edhe koston e projekteve dhe propozimin se si të financohen ato. Një gjë që këtu duket shpeshherë e ekzagjeruar nuk është mungesa e burimeve financiare, por keqllogaritja e kapaciteteve absorbuese të komunave tona e veçanërisht keq llogaritja e kohës së zbatimit të projekteve. Mendoj që këtu ka më shumë mundësi që realizimi i projekteve të vonohet ose të dështojë”, është shprehur Ymeri.
Cakolli: Premtimet po bazohen në nevojat e qytetarëve
Të njëjtën gjë e thotë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
“Në këtë proces zgjedhor pra është shënuar një avancim i ndjeshëm meqenëse tashmë në pothuajse të gjitha rastet kandidatët përveç ofrimit të premtimeve janë duke u obliguar nëse mund ta themi kushtimisht që të japin edhe idenë dhe planin e tyre se si do të zbatohet një premtim apo një projekt i tillë, derisa më parë programet politike kanë qenë kryesisht shabllone apo përsëritje e premtimeve nga proceset e kaluara zgjedhore”, ka deklaruar Cakolli.
Sipas tij, tashmë premtimet dhe programet e kandidatëve po bazohen në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
“Tashmë premtimet dhe programet e tilla janë duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, por sigurisht pa e anashkaluar edhe këtë elementin transformues të programeve ku kandidatët në shtatë qendrat e mëdha kanë dhënë premtime të cilat janë të një karakteri jo vetëm mirëmbajtës të situatës apo avancimeve të vogla, por edhe ndryshime radikale brenda qyteteve”, ka thënë ndër të tjera ai.
Rundi i dytë i zgjedhjeve në 21 komuna të vendit do të mbahet të dielën .
Në zgjedhjet e 14 nëntorit, partitë të cilat kanë më së shumti kandidatë në këtë balotazh janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në mesin e 21 qyteteve, në balotazh është edhe kryeqyteti Prishtina, ku kandidatë janë Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477.
Kurse, numri i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë, e që u takojnë këtyre 21 komunave, është 1,260,571, percjell Botapress.info