Të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.
Me anë të verifikimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të vërtetojë nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenin 30 të tij.
Në një përgjigje me shkrim për Indeksonline, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në mesin e institucioneve që KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të verifikuar nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë burgim efektiv, i cili nuk do të mund të kandidojë.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, ka thënë Elezi.
Në ligjin e kaluar të zgjedhjeve, ky paragraf i nenit ishte shumë më i ashpër, pasi ndalonte kandidimin e të gjithë atyre personave që ishin “shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”. Pra, në ligjin e kaluar, nuk kërkohej që personi i dënuar të ishte edhe i dënuar “me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.