A e humbi kontrollën hoxhë Mjekiqi? Ja çfarë deklaronte dy vite më parë për dhunën ndaj grave

Imami nga Obiliqi, Behar Mjekiqi i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij E.J, dy vite më parë ishte deklaruar kundër dhunës.

Madje, gjatë një interviste ai kishte cituar se çfarë thotë feja islame për dhunën ndaj grave. Ai dëgjohet teksa thotë, se njeriu nuk mund ta justifikojë dhunën e ndodhur, me arsyetimin se nuk ishte vetvetja.

LEXO EDHE KETE

“Më ngrehi zhagë nëpër oborr”, detajet e denoncimit në polici nga e dashura e hoxhë Mjekiqit

“Duhet mbajtur veten nën kontroll. Islami thotë nëse je shumë nervoz e je në kambë ulu, e nëse je ulë e nuk të kalon lëviz, nëse nuk kalon merr abdes, falu namaz. Na nuk i kemi këto rregulla, prej nervozës kalojmë në diçka tjetër pastaj justifikohemi nuk kam qenë vetvetja, por nuk është e vërtetë. Po të mos ishte vetvetja do të përfundoje në izolim e psikiatri, e jo me nejt në burg tu lu shah me thanë valla s’kam qenë vetëvetja”, deklaronte dikur Mjekiqi, përcjell Insajderi.

Sipas tij, gruaja është amanet dhe nuk duhet të rrahet e lëre më të vritet.

“Gruan e ke amanet e ka lind dikush e ka eduku, ty ta ka dhuru e ti e ke marrë atë në amanet. E ti një ditë e vran. Pse? Që s’ta ka la një tesh? Është e ndalume njeriu me ushtru dhunë. Vet profeti i ka ndihmu gruas vet. E ti gruan tënde po e merr si person i gradës dytë. Nuk është marre me i ndihmu grusë tande. Unë nuk besoj që ndodh dhunë për një kafe a për një tesh”.

Imami Behar Mjekiqi është denoncuar të mërkurën për dhunë ndaj të dashurës së tij, me inicialet E.J.

Pasditen e djeshme, kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq dyshohet se e ka larguar viktimën, me të cilën kishte lidhje dashurie, me dhunë nga shtëpia e tij në fshatin Mazgit. Dyshohet se e ka shtyrë, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka tërhequr atë zhagas drejt oborrit të shtëpisë.

Derisa e kishte nxjerrë me dhunë nga shtëpia, imami Mjekiqi ia kishte marrë telefonin viktimës E.J. duke i shkaktuar lëndime në të dy duart.

Për Mjekiqin raportohet se është i martuar dhe e ka një djal. /Botapress.info/

ngjashme