Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, LDK: Zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci

 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkujtuar 24 majin 1992, kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, një nga momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë dhe të rrugës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Ngjarja e 24 majit e vitit 1992, shënon një ndër momentet më të rëndësishme të filleve të demokracisë së shtetit të Kosovës. Pikërisht para 34 viteve, më 24 maj u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale në Kosovën e trazuar nga lufta që po vinte pashmangshëm.

Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale ishin pikënisje dhe zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci nën maksimën për Kosovën Republikë. Ashtu siç e kishin karakterin historik këto zgjedhje, historik ishte edhe procesi i zgjedhjes plebeshitare të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova.

Ai u bë udhërrëfyes, misonar e prijësi shpirtëror i mbarë popullit në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci dhe në miqësi të përhershme me ShBA dhe miqtë tanë ndërkombëtar. Figura e Presidentit Rugova është e pazëvendësueshme; ai për më shumë se dy dekada udhëhoqi popullin e tij në rrugën për ta fituar lirinë dhe formuar shtetin demokratik.

Populli i Kosovës sot, feston 24 majin, si ditën e Presidentit, duke nderuar kështu veprën historike të atit themeltar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova; figurën emblematike të shtetit tonë, arkitektin dhe projektuesin e pavarësisë që ne e gëzojmë sot.”