Në pjesën jugore të Shqipërisë, gjinden plazhet me pamje fantastike. Uji aty është i kristaltë, derisa malet kanë pamje nga deti, shkruan Gazeta Botapress.
Revista italiane ‘greenMe’, i kishte kushtuar një artikull të gjatë pjesës jugore të Shqipërisë, ku shkruante për pamjet fantastike të plazheve që gjendet në këtë pjesë. Këto plazhe të Shqipërisë Jugore nuk bën assesi t’i humbni për pushimet verore të këtij viti. Në shkrim janë të përfshira 6 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar të Jonit.
Ksamil, i njohur edhe si Skambil nga shqiptarë vendas, është fshat i vogël bregdetar në jug të Shqipërisë. Ndodhet në jug të qytetit të Sarandës, në dalje të rrugës për në Butrint dhe është pjesë e Rrethit të Sarandës. Është një nga vendpushimet bregdetare më të frekuentuara, nga turistët vendas dhe të huaj. Plazhi është i vogël, me ujë të pastër dhe me ishuj të vegjël ku janë vendosur kafetë dhe pranë tyre mjediseve të pastra. Ka një numër hotelesh të vogla dhe shtëpive për mysafir, disa janë të hapura gjatë gjithë vitit, por disa hapen gjatë verës. Në këtë plazh të bregdetit të Jonit ndodhen ishujt, të cilët mund t’i eksplorosh me not ose me një udhëtim me varkë, duke lënë prapa Parkun Kombëtar të Butrintit, një nga parqet më të bukura arkeologjike të Ballkanit, sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO’s.
Karaburuni
Karaburuni është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë. Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty. Udhëtime të tilla organizohen kryesisht gjatë stinës së verës, ndërsa synohet që ato të shtrihen gjatë gjithë vitit. Peizazhi natyror, i gërshetuar me atë historik, e bënë atë një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar.
Porto Palermo është një gadishull i vogël në të cilin ndodhet kalaja e ndërtuar nga Ali Pasha Tepelena, politikani dhe guvernatori i shumë territoreve europiane të Perandorisë Osmane, në nder të gruas së tij, gjatë shekullit të 19-të. Ky plazh shqiptar është vendi ideal për ata që e duan natyrën e egër. Sigurisht që meriton një ndalesë për shkak të detit, por edhe të kështjellës që mund të vizitohet.
Dhërmiu
Një nga plazhet më të njohura dhe më të mbushura me njerëz në bregun shqiptar të Jonit është ai i Dhërmiut, i frekuentuar nga vendasit dhe turistët e tërhequr nga ujërat e mrekullueshme dhe të pastra blu. Gjatë udhëtimit do të hasni shumë bunkerë të shpërndarë të periudhës komuniste.
Borshi është një fshat i madh dhe i bukur, me histori të lashtë ne zonën e Bregut apo siç njihet riviera shqiptare, dhe bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi Vlorë. Borshi është plazhi më i gjatë në brigjet e Jonit, me tre kilometra vijë bregdetare është vendi ideal për ata që duan të pushojnë. Plazhi është i rrethuar nga natyra e lulëzuar e përbërë kryesisht nga pemët e ullirit dhe agrumet. Ata që e duan ecjen mund ta bëjnë këtë në bregdet, i cili ofron dhe një zbulim të artit bizantin, ku mund të vizitohet fshati me të njëjtin emër dhe kështjellën e tij.
Himara
Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle por edhe me rërë te bardhë e të imët. Spilea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitore në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në Jug Llamana, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea në Nivica (por me rrugë të vështirë). Poshtë kalasë së Himarës ndodhet Livadhi dhe në veri Jali, Fusha, Ziso, Gjipea, Karkaniqi, Dhërmiu, Palasa dhe Dhralea. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë, për shkak të ujërave nëntokësore./Botapress/