Servete Hajrullahu, drejtoresha e shkollës fillore “Jeronim De Rada” në Ferizaj, rrezikon shkarkimin shkaku i largimit nga shkolla të një 5-vjeçari si pasojë e një rregulloreje të çuditshme.
Një 5-vjeçar është përjashtuar nga shkolla pasi mban flokë të gjatë, dhe sipas rregullores së shkollës, atij i është ndaluar vijimi i procesit mësimor.
“Ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve tek djemtë”, thuhet në rregullore.
Një nxënës në Prishtinë ka shpuar shokun e tij të klasës me stilolaps në kokë
Për këtë rast ka reaguar Kuvendi i të Rinjve të Kosovës, i cili ka kërkuar që të merren masa ndaj drejtoreshës së shkollës fillore “Jeronim de Rada”.
KRK-ja ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës Servete Hajrullahu.
“Largimi i fëmiut nga drejtoresha e Sh.F.M.U “Jeronim De Rada” është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-032 të Arsimit Parauniversitar dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, pasi ky vendim për largimin e fëmijës është marrur mbi bazën e dukjes së tij fizike”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatën e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës thuhet se ky vendim është në kundërshtim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar.
“Sipas Nenit (40), Parimi i arsimit gjithëpërfshirës, të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, institucionet arsimore duhet të akomodojnë të gjithë fëmijët, pa dallim të kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore apo të tjera dhe duhet të promovojë integrimin, dhe kontaktin mes fëmijëve”, thuhet në reagimin e kuvendit./Botapress.info./