4783 zyrtarë kanë bërë deklarimin e pasurisë në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.Në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, procesi i deklarimit të pasurisë të zyrtarëve të lartë publik ka përfunduar me 31 mars 2021, thuhet në kumtesën e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Duke aplikuar rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për respektimin masave të mbrojtës nga pandemia COVID-19, AKK bën të ditur se procesi i deklarimit të pasurisë, është realizuar nëpërmjet pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë në mënyrë elektronike.
Agjencia kundër Korrupsionit njofton se nga gjithsej 4892 e numrit të zyrtarëve të lartë publik, deklarimin vjetor të pasurisë e kanë bërë gjithsej 4783 zyrtarë ose (97.77%), duke përmbyllur procesin e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë.
4783 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 56 zyrtarë të lartë publikë kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, 28 nga zyrtarët nuk e kanë deklaruar pasurinë me arsye, ose kanë deklaruar pas afatit, me arsyet e cekura ndërsa 25 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani.
Përveç deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë, me ndryshimet që kanë ndodhur në institucionet publike, këtë vit, Agjencia kundër Korrupsionit, ka pranuar një numër të konsiderueshëm të formularëve të deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës zyrtare si dhe me rastin e përfundimit të detyrës zyrtareve.