Botapress 21 Prill- Janë bërë një muaj qysh nga formimi i Qeverisë “Kurti II”. E gjatë kësaj kohe kryeministri Albin Kurti ka emëruar gjithsej 21 zëvendësministra. Emërimi i tyre është bërë ditë pas dite teksa ka qenë vet kryeministri Kurti, ai i cili vazhdimisht ka kritikuar qeveritë e kaluara për numër të madh të zëvendësministrave në qeveri.
Njëzetenjë zëvendësministra janë emëruar zyrtarisht deri më tani nga kryeministri Albin Kurti. Të njëjtit janë shpërndarë në dikastere qeveritare, teksa shtatë prej tyre janë nga komunitetet jo-serbe në Kosovë. Emërimi i tyre erdhi pak ditë para se e propozuara e VV-së për presidente, Vjosa Osmani të zgjidhej në këtë pozitë. Emërimi i disa prej tyre në këto pozita në vend u pa si pazare politike për sigurimin e votave për ta bërë Osmanin presidente.
Gazeta ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit lidhur me atë se a ka ndonjë plan konkret Qeveria se sa zëvendësministra do të emërohen gjithsej, por deri tash, zyra është përgjigjur për këtë çështje.
Në anën tjetër, nga shoqëria civile e kanë parë të nevojshëm reduktimin e zëvendësministrave në Qeverinë “Kurti II”.
Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Express se është e rëndësishme që numri i zëvendësministrave të mos jetë më i madh se dy për ministri.
“Është shume e rëndësishme që numri i zëvendësministrave të jetë jo më i madh se 2 persona për ministri, e ne raste te rralla kur ministria ka disa dikastere (ish-ministri nën kompetencë) atëherë konsiderojmë që do të ishte e nevojshme që të vendosen më shumë se dy zëvendësministra”, ka thënë më tutje ai.
Në të kundërtën sipas tij numri i lartë i zëvendësministrave do të ishte barrë për shtetin.
“Kursimi i buxhetit të Kosovës mund të bëhet nëse numri i ministrive mbetet i ulët dhe numri i zëvendësministrave po ashtu mbetet i ulet. Nëse shkohet si në variantin e qeverive Mustafa e Haradinaj, ku numri i zëvendësministrave ka qenë shumë i madh dhe barrë për buxhetin e shtetit”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë që qeveria paraprake e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka pasur gjithësej 48 zëvendësministra.
Ndërsa më së shumti zëvendësministra ka pasur Qeveria “Haradinaj”, me mbi 70 të tillë.
Zëvendësministrat që janë emëruar deri më tani në Qeverinë “Kurti II”:
- Resul Makreshi, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve,
- Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
- Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes,
- Linda Çavdarbasha, zëvendësministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
- Imri Demelezi, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
- Getoar Mjeku, zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
- Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë,
- Gazmend Salijević, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim,
- Adnan Redžeplar, zëvendësministër i Mbrojtjes,
- Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
- Almir Veliji, zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal,
- Avod Dješević, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,
- Hysen Durmishi, zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
- Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë
- Ilir Aliu, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve
- Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
- Dafina Gexha- Bunjaku, zëvendësministre e Shëndetësisë,
- Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
- Mentor Arifaj, zëvendësministër i Ekonomisë;
- Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
- Bardhyl Dobrën, zëvendësministër të Punëve të Brendshme/Botapress/