[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

20 mijë euro ryshfet për zyrtarin e Qeverisë dhe “roqkotellat” e tij



Gjithçka kishte filluar me një dokument fals. Kosovari që jeton në Zvicër, Elsadat Musliu, ishte zënë duke e kontrabanduar atë dokument. Për këtë ishte dënuar me tri vite burg. Por, kur ai e njoftoi një zyrtar të Qeverisë së Kosovës, shpresat për të shpëtuar nga burgu ishin ngjallur. Gjithçka u shua kur në lojë hyri ryshfeti.

Kosovari pretendon se zyrtari i arrestuar i financave në Qeverinë e Kosovës, Zahir Bajrami, së bashku me djalin e tij Ardianin, i kërkuan 20 mijë euro që t’ia hiqnin atij një dënim prej tre vitesh burgim.

Fillimisht, Bajrami i kishte kërkuar 10 mijë euro nga Musliu. Kjo dëshmohet edhe në videot që ka siguruar Insajderi. Në video Bajrami i premton Musliut se i ka njerëzit e tij në shtet, të cilët do t’ia zgjidhnin problemin. Për ta madje kishte edhe një nofkë. I quante “Roqkotellat”. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ai i Apelit ishin “roqkotellat” e tij.

Musliu rrëfen se qysh në fillim të seancave gjyqësore, zyrtari nga Qeveria e Kosovës nuk i ishte përgjigjur më telefonatave të tij, por kishte dërguar djalin e tij Ardian Bajrami që t’i bëjë ‘qare’! Dyshimet e Musliut që Bajrami vetëm i kishte marrë para, por nuk ishte duke u angazhuar t’ia kryej punën, kishin dalë të vërteta. Gjykata e dënoi Musliun me dy vite burg. Një më pak sesa vendimi i gjykatës para se Bajrami “ta merrte çështjen në dorë”.

Duke parë se ryshfeti 10 mijë eurosh nuk kishte kryer punë, Musliu u takua sërish me Zahir Bajramin. I kërkoi t’ia kthente paratë. Por, Bajrami nuk ia ktheu. Në vend të kësaj i kërkoi edhe 10 mijë e 800 të tjera.

“10 mijë i lypi për të paguar ‘roqkodellat’ e tij, ndërsa 800 për shpenzime”, rrëfen Musliu.

Policia, siç rrëfen Musliu, e kishte këshilluar që t’ia japë paratë Bajramit, në mënyrë që ta zënë në flagrancë. Data ishte caktuar 9 shkurti i 2017-s. Musliu do të shkonte në lagjen Veternik të kryeqytetit për t’u takuar me Bajramin. Por, zyrtari nuk kishte dalë për t’i marrë paratë. E kishte dërguar të birin, Ardianin. Policia e arrestoi të birin e zyrtarit të Qeverisë, ndërsa babanë e tij në Fushë Kosovë.