Vrasja e 18-vjeçares M.O., nga Ferizaj ka tronditur gjithë vendin. Deri në këto momente në pranga është A.S., ndërsa i dyshuari kryesor, partneri i saj D.K., ndodhet akoma në arrati. Të dy janë emra të njohur për policinë dhe prokurorinë, për involvim në vepra të ndryshme penale.
E kjo tragjedi e ka prekur thellë edhe këngëtaren e njohur kosovare, Fatlume Popovci, madje ajo i është referuar si mbesë viktimës.
“Moj mbesa ime, Zoti i dënoftë ata që të lënduan”, shkruan ndër të tjera këngëtarja.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S.,më 22 Gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër D.K., ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht në vdekjen e të ndjerës, ku më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).