Numri i fëmijëve të braktisur krahasuar me vitet e kaluara ka filluar të bjerë dukshëm. Këtë e thonë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku nga muaji janar 2021 deri më tani janë evidentuar 14 raste të fëmijëve të braktisur. Të njëjtën gjë e thonë edhe nga reparti i Neonatologjisë.
Në repartin e Neonatologjisë në QKUK ku është dhoma e posaçme për kujdesin e tyre, nuk ka asnjë fëmijë të braktisur tash e disa javë. Kryeinfermierja e repartit e cila me vite punon me këtë fëmijë, thotë se nuk i ka ndodhur asnjëherë që të shoh këtë dhomë boshe.
“Deri më sot, nuk ka ndodh për këtë përvojën time me mbet kështu pa asnjë fëmijë”, tha për RTK’në Lushe Jusufi.
Se numri i fëmijëve të braktisur është ulur e thonë nga ky repart, madje sipas tyre shumica e fëmijëve të braktisur gjatë këtij viti janë ribashkuar me familjet e tyre.
Zakonisht këta fëmijë qëndrojnë në QKUK deri në moshën neonatale që i bie deri në 28 ditë ose mund të qëndrojnë edhe në një muaj.
Pas përfundimit të kësaj periudhe në këtë klinike, është punëtori social ai i cili merret me procedurat ligjore për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur.
Nga MPMS kanë treguar se procedura e mëtutjeshme ndahet në forma të ndryshme, si kujdestari, strehim familjar brenda farefisit, strehim në strehimore me qëndrim të përkohshëm apo adoptim.
Organi i kujdestarisë së Qendrës për Punë Sociale komunale është i obliguar që me prioritet të angazhohet për bashkimin familjar të fëmijës me familjen biologjike.