[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

​Pse Ballkani mund të jetë testi i parë i administratës Trump në politikën e jashtme



E kam dëgjuar njëherë një oficer të ushtrisë amerikane duke shpjeguar në një mbledhje se vështirësia kryesore me të cilën përballej qeveria e Shteteve të Bashkuara për ta kuptuar Ballkanin ishte një problem i thjeshtë i dallimit kohor. Kjo kishte nxitur shikime të çuditshme nga pjesëmarrësit në tavolinë.

“Për shembull”, pat thënë ai, “le të themi se është mesditë në Uashington. Duhet ta keni parasysh se në Kosovë është 1389”.

Referenca e tij për Betejën e Fushë Kosovës të shekullit 14 ilustronte me zgjuarsi se si në ish-Jugosllavi, kujtimet janë të paharruara dhe armiqësitë historike janë të afërta.

Një prej shumë konflikteve të mundshme me të cilat mund të përballen sekretari i ri i Shtetit, Rex Tillerson, dhe sekretari i ri i Mbrojtjes, James Mattis, është rigjallërimi i hidhësisë në vendet e ish-Jugosllavisë.

Që nga mesi i viteve të 90’ta të shekullit të kaluar, radikalizmi islamik ka shtrirë rrënjët në Ballkan: në Bosnjë, në Shqipëri, në Kosovë dhe në pjesë të Maqedonisë. Më shumë se 300 luftëtarë të grupit Shteti Islamik (ISIS) kanë shkuar në Siri nga Kosova, si dhe një numër i përafërt kanë shkuar atje nga Bosnja. Armë nga Bosnja janë gjetur pas sulmit terrorist në “Bataclan” në Paris.

Prania e xhihadistëve dhe përplasjet etnike janë çështje të nxehta që prej kohësh kanë qëndruar në prapavijë, por herë duke u nxehur më shumë, e herë duke u ftohur pak. Megjithatë, incidentet e fundit sugjerojnë se konfrontimet serioze mund të kthehen në rajon në formën e një konflikti të tërthortë të stilit të Luftës së Ftohtë, ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.

Për shembull, në javën e dytë të janarit, një tren që po shkonte nga Beogradi drejt Mitrovicës, në veriun e Kosovës e banuar kryesisht nga serbët, u ndalua nga autoritetet serbe.

Treni ishte i veshur me flamurin serb dhe me mbante mbishkrimet “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë. Kryeministri serb, Aleksadar Vuçiq, u tha gazetarëve se kishte marrë vesh se treni do të çohej në erë nga radikalët kosovarë, ndërsa presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, kërcënoi me çuarje të trupave në Kosovë, për të mbrojtur serbët.

Kjo tregim kujton veprimet e Rusisë në vendet si Ukraina dhe Krimeja, ku “mbrojtja e minoriteteve etnike” është përdorur për të arsyetuar veprimet ushtarake dhe aneksimin e territorit.

Vlen të theksohet se treni drejt Mitrovicës ishte prodhuar në Rusi (e disa thonë se edhe është dhuruar nga Rusia), dhe brenda ishte përplot me simbole fetare ortodokse; ai ishte qartësisht qëllimisht provokues. Duke mos bërë shumë për zbutjen e tensioneve, presidenti kosovar, Hashim Thaçi, tha se Serbia po përgatitet për ndërhyrje ushtarake për të marrë pjesë të Kosovës duke përdorur “modelin e Krimesë”.

Por, Kosova nuk është i vetmi vend ku dora e Rusisë ka qenë aktive në Ballkan së fundmi. Në fund të nëntorit të 2016’s, u zbuluan detaje të një komploti të organizuar nga serbët e lidhur me Rusinë, për të vrarë kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pikërisht në ditën e zgjedhjeve në vendin e tij.

Organizatori i komplotit ishte nacionalisti serb, Aleksandar Sinxheliq, shef i “Ujqërve serbë”. Sinxheliq ishte dëgjuar në një incizim duke thënë se i kishte ndihmuar vullnetarët serbë të shkonin në Krime; ai po ashtu ka folur për lidhjet e tij me Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Për më tepër, Sinxheliq raportohet të ketë luftuar në “Rusinë e re” në Ukrainë, në pjesën e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Tregimi nuk mbaron këtu. Sinxheliq raportohet të ketë udhëtuar drejt Moskës në shtator për t’u takuar me dy rusë, Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov, dhe të ketë marrë 200.000 euro për të organizuar komplotin. Ndonëse Qeveria e Malit të Zi nuk e ka drejtuar gishtin drejt Moskës për komplotin, kryeqyteti i vendit, Podogorica, është një vend i vogël, dhe lajmet përhapen me shpejtësi të madhe.

Mediat malaziase besojnë se dy individët, tani të kërkuar nga Interpoli, janë oficerë të inteligjencës ruse.

Pse duhet të mërziten sekretarët e rinj të Shtetit, përkatësisht të Mbrojtjes, për një komplot të dështuar në një vend të 600.000 banorëve në cep të Evropës, për të cilin flitet pak?

Ka rastisur që në dhjetor, Senati i Shteteve të Bashkuara ishte në prag të votimit për pranimin e Malit të Zi në NATO.

Duke marrë parasysh lidhjet e komplotistit me Rusinë, dhe duke marrë parasysh se përpjekja për atentat ka përkuar me zgjedhjet në vend, edhe mund të mendosh se kjo ishte një përpjekje e fundit e Moskës për të instaluar një qeveri mike dhe për të parandaluar hyrjen e Malit të Zi në NATO. (Komisioni për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit i ka dhënë mbështetje anëtarësimit të Malit të Zi në NATO më 11 janar).

Kjo e bën Malin e Zi çështje të rëndësishme për administratën e re amerikane.

Disa vite më parë, një anëtarësim i tillë do të kishte ndodhur pro forma – Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria i janë bashkuar Aleancës vite më parë. Por, zgjedhja e Trumpit ka ngjallur një debat për të ardhmen e Aleancës së Atlantikut Verior. Pa mbështetjen e administratës së re, anëtarësimi i Malit të Zi mund të dështojë.

Vladimir Putin do të gëzohej nëse do ta shihte aneksimin e një pjese të Kosovës nga Serbia, sepse kjo do t’i legjitimonte pretendimet e tij për Krimenë (dhe do ta zhyste Evropën edhe më thellë në krizë). Dhe, duke marrë parasysh kundërshtimet e fuqishme dhe të vazhdueshme të Moskës për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, mos mbështetja për Malin e Zi në Senatin amerikan do të përbënte fitore për Rusinë.

Ish-Jugosllavia është një pjesë e brishtë e Evropës, dhe krizat në rajon marrin rëndësi më të madhe për shkak të pozitës gjeografike të shteteve në prag të Evropës.

ISIS’i, Rusia, dhe marrëveshja bërthamore me Iranin mund të përbëjnë shqetësimet më të mëdha për sigurinë kombëtare në SHBA sot, por tensionet në Ballkan ndizen në një mënyrë të çuditshme – dhe në momentin më të papërshtatshëm.

(Autori është këshilltar dhe ish-oficer i CIA’s, i cili është angazhuar gjerësisht në çështjet si Irani dhe çarmatimi bërthamor).