[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

​Futbollistët lënë Kosovën për Shqipërinë, shkak pasaporta dhe liberalizimi i vizave



Pasaporta që i lejon mbajtësve të saj të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë është një nga arsyet kryesore pse futbollistët e rinj kosovarë zgjedhin Shqipërinë përpara Kosovës.

Futbollistët nga Kosova që luajnë në kampionatin shqiptar të futbollit, e që luajnë me kombëtaren shqiptare të grupmoshave U-21, nuk e zgjedhin Kosovën para Shqipërisë për shkak të fuqisë që ka pasaporta e Republikës së Shqipërisë.

Kështu ka thënë përzgjedhësi i Kosovës U-21 në futboll, Rafet Prekazi, i cili arsyeton plotësisht vendimin e këtyre futbollistëve. Ai ndjen keqardhje për këtë situatë, derisa shprehet i vetëdijshëm se futbollistët nga Kosova, në këtë rast kanë bërë zgjedhje racionale për vetën e tyre.

“Për shkak të liberalizimit të vizave, disa prej futbollistëve nga Kosova nuk kanë mundur të vijnë në përfaqësuese. Si mundem t’i them unë djalit që të lërë Shqipërinë për Kosovën kur atij i është ofruar pasaporta shqiptare, sikurse është rasti i Ylber Ramadanit që luan për Partizanin”, ka thënë Prekazi për Insajderin.

Kujtojmë se në grupmoshat e reja ka shumë lojtarë nga Kosova që luajnë për Shqipërinë, e cila vazhdon t’i ftojë pavarësisht se Kosova tashmë është anëtare e UEFA’s dhe FIFA’s.