.
×

Zvogëlohet Qeveria nëse miratohet Ligji dhe vlen për këtë mandat



Botapress  26 Maj- Për nga madhësia e stafit Qeveria “Haradinaj” ka tejkaluar edhe superfuqitë botërore. 3 zëvendëskryeministra, 21 ministra, 80 zëvendësministra dhe dhjetëra këshilltarë i kushtojnë miliona euro brenda vitit buxhetit të Kosovës. Pas dy vitesh qeverisje, koalicionit PAN i ka rënë në mend të zvogëlojnë numrin e zyrtarëve të Qeverisë, në shënjetër janë zëvendësministrat. Këtyre të fundit Ligji për Pagat, u mundëson 70 përqind të marrjes së pagës për gjashtë muaj edhe pasi ta përfundojnë mandatin.

Kabineti qeveritar i kryeministrit Ramush Haradinaj jo rrallë herë është krahasur edhe me shtetin më të populluar në botë, Kinën. Kosova me rreth 2 milionë banorë ka 21 ministri secili nga ta ka disa zëvendëesministra, ndërsa Kina me 1.4 miliard banorë, ka vetëm katër ministri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar zvogëlim të qeverisë. Kjo nismë po përkrahet edhe nga AAK-ja. Në një bisedë për Gazetën Express, Muharrem Nitaj, thotë se janë të vetëdijshem për nevojën e zvogëlimit të qeverisë.

“Ne pavarësisht prej çfarë ka thënë zoti Hoxhaj e kemi diskutuar në AAK, nevojën e zvogëlimit të Qeverisë. Ka pasur ide të ndryshme se si mund të bëhej kjo, por njëra prej indeve që ka mbizotëruar ka qenë miratimi sa më parë i Ligjit për Qeverinë dhe zbatimi i menjëhershëm i tij”, thotë Nitaj

Stafin e madh në Qeveri, Nitaj e arsyeton me mungesën e Ligjit për Qeverinë.

“Ne e kuptojmë se një situatë e tillë ka ardhur si pasojë e mungesës së Ligjit për Qeverinë, por me një pajtim të partnerëve të koalicionit në Qeveri, kjo do të mund të rregullohej”, tha ai.

Zvogëlimi i qeverisë synohet të bëhet përmes uljes së numrit të zëvendësministrave. Se stafi do të tkurret, paralajmëron edhe AAK-ja. Megjithatë, Nitaj thotë se nuk e di nëse partia e tij ka biseduar me PDK-në për këtë çështje.

“Nuk jam në dijeni nëse ka pasur biseda me PDK-në, apo nëse kjo çështje është diskutuar ndërmjet partnerëve në Qeveri. Por edhe ne jemi të vetëdijshëm se duhet zvogëluar Qeveria, posaçërisht numri i zëvendësministrave, i cili është shumë i madh”, tha Nitaj.

Nitaj e dha këtë deklaratë, pasi Enver Hoxhaj tha gjatë një tubimi të PDK-së për zgjedhjet e brendshme partiake në Pejë, se vendit i duhet një qeveri e vogël dhe efikase. Zvogëlimin po e synojnë brenda këtij mandati qeverisës.

“DekadaeRe ka prioritet mirëqenien e qytetarëve në Pejë dhe kudo në Kosovë. Si shtet i vogël ajo që mund të bëjmë është zhvillimi i ekonomisë dhe rritja e cilësisë së jetës përmes edukimit cilësor, shëndetësisë efikase dhe mjedisit të pastër. Ndërsa, këtë mandat qëllimi ynë është një qeveri e vogël dhe efikase që punon në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj.

Se ka numër të madh të zëvendësministrave në qeveri, këtë e ka pranuar edhe vetë Ramush Haradinaj.

Kryeministri numrin e madh të zëvendësminitrave e ka arsyetuar për shkak të koalicionit të gjerë.

Mirëpo, në dhjetor të vitit 2014, Ramush Haradinaj, si opozitar, mbante ligjërata se si duhet të zvogëlohet numri i Zevendësministrave. Propozonte që mos të ketë më shumë se nga një zëvendës të Ministrave. Deklaronte se dikush po abuzon me pushtetin dhe po sillet në mënyrë arrogante për të forcuar partinë.

Siqodoftë, Qeveritë e ardhshme pritet të formohen me më pak ministra e zëvendësministra. Kjo mund të ndodh nëse miratohet Ligji për Qeverinë.

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e Projektligjit, Besnik Tahiri, ka theksuar se Ligji për Qeverinë, është ligji i dytë më i rëndësishëm për administratën e shtetit, pas miratimit të pakos së reformave shtetërore.

E Ligji për Qeverinë, është një nga pesë kushtet e Partisë Socialdemokrate për miratimin e buxhetit për vitin 2019, ku ata kërkuan zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave.

Opozita dhe shoqëria civile vazhdimisht ka kritikuar kryeministrin Haradinaj për numrin e madh të minsitrive, zëvendësministrave dhe këshilltarëve. Qeveri kjo që ka thyer rekordin për numrin e madh të stafit.